
TIRANË- Gazetarja Anila Hoxha tha se policia është sorollatur jo për të kuptuar motivet e ngjarjes, por se kush qëlloi për vdekje Martinin dhe kush plagosi Luisin. Ajo tha për për “Top Story” se arma e krimit nuk është gjetur ende, dhe ka versione të ndryshme rreth dinamikës së ngjarjes, por pritet që të merret dëshmia e Luisiut.
“Policia janë sorollatur, jo për të kuptuar motivet, po për të kuptuar se kush e qëlloi për vdekje Martinin dhe kush e plagosi Luisin. Arma e krimit nuk është gjetur ende. Hetuesit dyshojnë se 14-vjeçarin mund të ketë goditur Marjusi, i cili është gjithashtu i plagosur. Është një dyshim që duhet të konfirmohet, pasi të merret deklarata e Luisit dhe Marjusit, i plagosuri që u grind me të miturin që nuk jeton më. Ka disa versione të ndryshme pse u përleshën. Njëra është për shkak të sherreve në rrjete sociale, por besoj që ky nuk është rasti. Nga të dhënat e mija, ata dyshojnë se gjithçka ka qenë një hedhje fjalësh mes të dyve. Secili ka thirrur shokët e vet dhe ndodhi ajo që ndodhi”, tha gazetarja.
Viktima u qëllua 6 herë në bark, fyt dhe në zemër me thikë, plagë këto të cilat ishin fatale për të. Mësohet se në konflikt u përfshinë 7 të mitur, të cilët disa prej tyre janë shoqëruar në komisariat për të dhënë dëshminë rreth ngjarjes.
Po ashtu edhe shoku i viktimës është plagosur në krahë dhe po merr ndihmë mjekësorë në një spital privat. Gjithashtu për këtë ngjarje të rëndë reagoi edhe Ministria e Arsimit dhe Sportit, ku bëri thirrje që të zbardhet menjëherë. Ndërsa, në njoftimin zyrtar Policia tha se ngjarja ndodhi 200-300 metra larg instuticionit arsimor. Por sipas dëshmitarëve, ngjarja ndodhi në ambientete e shkollës.
Shkaku nuk dihet ende në mënyrë zyrtare, flitet për një konflikt të nisur nga rrjetet sociale, për shkak të problematikave mes të miturve. Po ashtu mësohet se ka pasur një mungesë të policit në derën e shkollës, pas mbarimit të mësimit. /ZËRI