
TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja me thikë e 14-vjeçarit, Martino Cani, nga disa bashkëmoshatarë të tij. Një ish-shok skuadre foli për “JOQ Albania” duke thënë se sherri mes të miturve nisi në rrjetet sociale. Sipas tij, dyshohet se shkaku ka qenë një vajzë në klasën e 9-të, që kishte komunikime me viktimën dhe me të plagosurin. Por rrethanat e ngjarjes ende nuk janë zbardhur.
"Martini ishte një fëmijë i qetë, respektonte më të rriturit dhe nuk kishte konflikte as me fjalë, as me veprime. Edhe kur ngacmohej, ai e injoronte dhe nuk kthehej me reagim të keq,"- tha ai.
Viktima u qëllua 6 herë në bark, fyt dhe në zemër me thikë, plagë këto të cilat ishin fatale për të. Mësohet se në konflikt u përfshinë 7 të mitur, të cilët disa prej tyre janë shoqëruar në komisariat për të dhënë dëshminë rreth ngjarjes.
Po ashtu edhe autori i dyshuar, është plagosur në krahë dhe po merr ndihmë mjekësorë në një spital privat. Gjithashtu për këtë ngjarje të rëndë reagoi edhe Ministria e Arsimit dhe Sportit, ku bëri thirrje që të zbardhet menjëherë. Ndërsa, në njoftimin zyrtar Policia tha se ngjarja ndodhi 200-300 metra larg instuticionit arsimor. Por sipas dëshmitarëve, ngjarja ndodhi në ambientete e shkollës.
Shkaku nuk dihet ende në mënyrë zyrtare, flitet për një konflikt të nisur nga rrjetet sociale, për shkak të problematikave mes të miturve. Po ashtu mësohet se ka pasur një mungesë të policit në derën e shkollës, pas mbarimit të mësimit. /ZËRI