Aktualitet

90 sekonda dhe 6 plagë me thikë... si u vra 14-vjeçari nga bashkëmoshatari i tij në shkollën “Fan Noli” (DINAMIKA)

Dyshohet se sherri ka nisur nga disa zënka mes tyre në rrjetet sociale prej ditës së premte, të cilat janë përshkallëzuar sot

I.F
90 sekonda dhe 6 plagë me thikë... si u vra 14-vjeçari nga
Viktima Martin Cani

TIRANË- Sot kryeqyteti u trondit nga vrasja e një nxënësi të shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”. 14-vjeçari u qëllua 6 herë me thikë nga disa bashkëmoshtaraë të tij, ku mbeti i plagosur dhe një i mitur tjetër që dyshohet se është autori. I plagosur, për momentin ndodhet në një spital privat duke marrë kujdes mjekësor. Dyshohet se sherri ka nisur nga disa zënka mes tyre në rrjetet sociale prej ditës së premte, të cilat janë përshkallëzuar sot, deri në përdorimin e thikave. Ngjarja ndodhi sot pas mësimit rreth orës 13:00-13:30, ndërsa sipas dëshmitarëve, roja i shkollës nuk ndodhej në vendngjarje. Sipas burimeve të sigurta të “ZËRI”, policia mbërriti 15 minuta me vonesë, ndërsa ambulanca u vonua dhe një qytetare ka marrë viktimën dhe e ka çuar atë në spital me makinë. Dëshmitarja tha se askush nuk shkoi me të dhe nuk ia kanë hapur rrugën, gjë që ajo ka kaluar mbi trotuar vetëm që të mbërrijë në kohë në spital. Ajo tha se kur mbërriti i mituri në spital ishte ende gjallë, por ai nuk ia doli të jetojë për shkak të plagëve të marra.

“Unë isha duke blerë mish për biznesin tim dhe dëgjoj ulërima. Kur shoh djali ishte përtokë, i hidhnin raki dhe i mbanin plagën. Askush nuk po vinte ta merrte, as mësues nuk pashë, asnjë. Ishte moment sekondi. Për 3 minuta shpërndava të gjithë turmën, mora djalin kam hipur mbi trotuar kam ecur me shpejtësi për në spital, pashë ambulancën e ndalova. Rrugës djali u përmend. E mora në makinën time dhe nuk po më ndihmonte asnjë, nuk erdhi njeri që të më vinte në makinë shoqërues. Aty më erdhi një djalë që punonte në laborator, i vuri dorën te plaga dhe djalin e përmendëm gjatë rrugës. I thosha shpirti nënës, shpirti mamit ti u bëre mirë, ia hodhe, kaloi çdo gjë. Ai bërtiti. Rri i qetë i thash se shpëtove, kaloi çdo gjë, erdhëm në spital. Ia dhashë ambulancës dhe këtu erdha të interesohem nëse shpëtoi apo jo se nuk ja di as emrin. Kjo ka ndodhur rreth orës 13:00-13:30. Nxënës kishte plot, qanin ulërinin, njerëz pa fund që nuk dinin çtë bënin. Shpërndava turmën, rrëmbeva djalin, mora dhe një ndihmës dhe vrapova drejt ambulancës. Unë shpejtova më shpejt se ambulanca, kalova mbi trotuare, pengesa dhe arrita deri te ambulanca. E çova djalin gjallë dhe pa pikë gjaku. Kam makinën dhe s’ka asnjë njollë gjaku. Atletet e çunit ndodhen në makinë time,"- rrëfeu ajo

Sipas disa shokëve të viktimës, sherri ka nisur për shkak të një vajze që kishte komunikime me të dy, por ky është një version i pakonfirmuar zyrtarisht dhe ngjarja është duke u hetuar. Një nga nxënësit e shkollës, tha se ai i pa ata të debatonin pas mësimit dhe në një moment të dytë ata ishin të mbuluar me gjak.

"Martini ishte një fëmijë i qetë, respektonte më të rriturit dhe nuk kishte konflikte as me fjalë, as me veprime. Edhe kur ngacmohej, ai e injoronte dhe nuk kthehej me reagim të keq,"- tha ai.

Sipas dëshmitarëve, as roja i shkollës dhe as mësuesit nuk kanë ndërhyrë në kohë, gjë që nëse do të kishte ndodhur, kjo ngjarje e rëndë do të ishte parandaluar.

“E pamë ngjarjen, por nuk ndërhymë. Ndërhynë ca të tjerë, ça do ndërhynim më? Jam e mërzitur dhe e stresuar. Po më bie të fikët për vete. Po të ishte polici te dera e shkollës nuk do kishte ndodhur ngjarja, më vjen keq, nuk e di çfarë të them. Po të ishte ai, po të kishte një mësuese ia kishte dhënë ndihmën e shpejtë. Ambulanca atje ishte. Një doktor a ka atje apo s’ka doktor?”, tha ajo.

Policia e Tiranës, përmes një njoftimi zyrtar tha se sherri mes të miturve, ndodhi 300 metra larg ambienteve të shkollës, por dëshmitë e qytetarëve tregojnë të kundërtën. Po ashtu edhe ministria e Arsimit reagoi menjëherë pas kësaj ngjarje të rëndë ku kërkoi që të zbardhet dinamika e plotë.

Viktima ishte lojtar i skuadrës së Dinamos, ku përmes një deklarate klubi shprehu ngushëllime për familjen e të ndjerit. Ndërsa, shokët e tij janë mbledhur sonte në stërvitjen e përditshme, por pa të… Martinit iu ndërprenë ëndrrat në mes, nga një sherr banal mes fëmijëve që zgjati 90 sekonda, por që atij i kushtoi jetën… /ZËRI

Poll

MOS HUMB