
TIRANË- Babai i 14-vjeçarit që mbeti i plagosur nga sherri me thikë në shkollën “Fan Noli”, ka rrëfyer dinamikën si ka nisur sherri mes të miturve që çoi në vrasjen e Martinit. Ai tha për “Top Channel” se sherri ka nisur që ditën e premte në oborrin e shkollës, ku dyshohet se autori e ka goditur me grusht viktimën dhe e ka dhunuar. Ndërsa, sot viktima i ka kërkuar ndihmë shokut të tij Luisit, i cili nuk ishte nxënës në shkollën “Fan Noli” dhe një personi tjetër që t’i takonin bashkë.
Më tej ai shton se sapo ata kanë shkuar në shkollë, i kanë sulmuar me thikë.
“Na lajmëruan nga poliklinika e 9-katsheve që është plagosur dhe ndodhet në spitalin e Traumës. Për momentin është jashtë rrezikut, shpresojmë që të bëhet më mirë. Ka katër plagë me thikë në trup. Nuk dimë gjë fare, Luisi nuk ka pas probleme, ka shkuar të takojë një shok të Fan Noli, kanë qenë bashkë shokë te akademia e Dinamos, dhe ai i ka kërkuar që të shkojë ta takojë. Djali më tha që kur kanë shkuar atje i kanë sulmuar me thikë”, shprehet ai.
Viktima u qëllua 6 herë në bark, fyt dhe në zemër me thikë, plagë këto të cilat ishin fatale për të. Mësohet se në konflikt u përfshinë 7 të mitur, të cilët disa prej tyre janë shoqëruar në komisariat për të dhënë dëshminë rreth ngjarjes.
Po ashtu edhe shoku i viktimës është plagosur në krahë dhe po merr ndihmë mjekësorë në një spital privat. Gjithashtu për këtë ngjarje të rëndë reagoi edhe Ministria e Arsimit dhe Sportit, ku bëri thirrje që të zbardhet menjëherë. Ndërsa, në njoftimin zyrtar Policia tha se ngjarja ndodhi 200-300 metra larg instuticionit arsimor. Por sipas dëshmitarëve, ngjarja ndodhi në ambientete e shkollës.
Shkaku nuk dihet ende në mënyrë zyrtare, flitet për një konflikt të nisur nga rrjetet sociale, për shkak të problematikave mes të miturve. Po ashtu mësohet se ka pasur një mungesë të policit në derën e shkollës, pas mbarimit të mësimit. /ZËRI