
ITALI-Një 41-vjeçar shqiptar u arrestua nga policia italiane, e cila i gjeti në automjetin që drejtonte një sasi lënde narkotike me vlerë 1 mln euro, nëse do të hidhej në treg. Sipas mediave italiane, nje furgon ndaloi, duke shkaktuar shqetësim tek makinat e tjera që rrinin në radhë në kabinën e pagesës, me sa duket për të shmangur kontrollet.
Oficerët e policisë dyshuan dhe identifikuan shoferin, i cili rezultoi se kishte një histori të trafikut të drogës. Ishte ora 18:15 e pasdites së të mërkurës, kur një furgon ndaloi për minuta të tëra në kabinën e pagesës së autostradës, pa paguar tarifën, ndoshta duke pritur lëvizjen e policëve, që kishin ngritur një postobllok pak pas daljes në autostradën A22.
Pikërisht ky veprim ka tërhequr vëmendjen e policëve që vendosën të ushtrojnë një kontroll. Nga kontrolli rezultoi se shqiptari, banues në Lombardi , kishte precedentë të shumtë penalë dhe krime të natyrave dhe rëndesave të ndryshme, përfshirë edhe tregtimin e drogës. Në atë moment u vendos që të vazhdohej me kontrollin e plotë të dy pasagjerëve dhe mjetit, gjatë të cilit në pjesën e pasme të furgonit u gjet një çantë e zezë prej pëlhure, e fshehur mirë mes mjeteve të punës dhe sendeve shtëpiake. Brenda kishte 10 pako me vakum me marijuanë, me një peshë totale prej 5.5 kg. /ZËRI