Aktualitet

Përfitoi 570 mijë euro përmes mashtrimit, dënohet me 5 vite burg ish-punonjësia e Kuvendit dhe BSH

31-vjeçarja u arrestua rreth një vit më parë, pasi mashtroi disa persona duke u marrë shuma të majme parash.

f.t
Përfitoi 570 mijë euro përmes mashtrimit, dënohet me 5 vite
Milena Deraj

TIRANË-Gjykata e Apelit ka lënë fuqi dënimin për ish-punonjësen e Bankës së Shqipërisë, Milena Derajn, ish-punonjëse e Kuvendit dhe Bankës së Shqipërisë e cila akuzohet për kryerjen e veprës penale "Mashtrim'. Ajo kërkoi nga Apeli që dënimi t'i pezullohej dhe vënien në provë, gjë e cila nuk është pranuar nga Gjykata e Apelit, duke lënë në fuqi Shkallën e Parë.

31-vjeçarja u arrestua rreth një vit më parë, pasi mashtroi disa persona duke u marrë shuma të majme parash. Milena Deraj u mori Hasan Verracaku, Abedin Verracaku, Shyqyri Verracaku, shumën prej 340 mijë eurove me pretendimin se do t’i ndihmonte në gjyq. Ndërkohë, si ish-punonjëse e Bankës së Shqipërisë ajo ka mashtruar shoqen e saj, Elira Shyti duke i marrë shumën prej 230 mijë euro në këmbim të bonove të thesarit.

SKEMA e mashtrimit dhe DEKLARATA e Milena Derajt

Milena Deraj ka deklaruar se shumat i kishte ruajtur në shtëpinë e saj në pritje të plotësimit të shifrës dhe më pas, disa muaj më parë, derisa pati marrë një telefonatë nga Avokati, i cili i pati deklaruar se nuk mund ta merrte përsipër çështjen, pa patur dijeni se Milena Deraj tashmë ishte parapaguar. Megjithatë, në një takim pak ditë përpara zgjedhjeve të 14 majit me Abedin Verracakun, Milena Deraj i ishte shprehur se nëse puna nuk do të kryhej si duhej, ajo do t’ia kthente lekët. Këtë Abedin Verracaku nuk e pati pranuar.

Pas kësaj bisede, së bashku me të afërmen e tij dhe me Milena Derajn, 2 ditë përpara zgjedhjeve, ata kanë ndaluar në një biznes të njohur në Tiranë ku kanë telefonuar pronarin, një biznesmen dhe politikan të njohur në vend, e në pamundësi për t’u takuar me të janë nisur drejt Shkodrës. I njëjti politikan dhe biznesmen i njohur, tre ditë përpara këtij episodi, sipas asaj që mësohet se ka deklaruar Deraj, pati zhvilluar një bisedë telefonike e më pas një takim në zyrën e tij me Derajn. Në këtë takim Deraj e kishte njohur detyrimin financiar ndaj vëllezërve Verracaku dhe pati premtuar se do ta shlyente atë.

Pas kësaj ndalese në hotelin e njohur në Tiranë, sipas Derajt ata janë nisur drejt Shkodrës dhe kanë mbërritur në një ndërtesë njëkatëshe me oborr në Shkodër. Aty është shfaqur vëllai i Abedinit, Shyqyri verracaku. Me armë në duar, e kanë shoqëruar në një dhomë të pasme të godinës, ku i kishin bërë me dije se në të njëjtin kolltuk kishte qenë edhe Avokati. Aty, sipas deklarimeve të Derajt, e kishin mbajtur për dy orë e gjysmë përmes presioneve psikologjike dhe e kishin detyruar të xhironte një deklaratë përmes videos, sipas të cilës u detyrohej 540 mijë euro. Deraj deklaron se 140 mijë euro i ka kthyer, por pjesa tjetër prej 200 mijë eurosh nuk i pranohet nga familja Verracaku, pasi ata i njohin për detyrim shumën 540 mijë dhe jo 340 mijë euro.

NJOFTIMI I GJYKATËS: 

Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, mbi bazën e materialeve kallëzuese të vitit 2023, ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të “Mashtrimit”,  ndaj të pandehurës me iniciale M. D, ish punonjëse e Bankës së Shqipërisë, me profesion ekonomiste. E pandehura ka përfituar shumën prej 340.000 Euro, duke mashtruar shtetasin me iniciale A. D etj, duke i marrë përsipër zgjidhjen e çështjes gjyqësore, ndaj disa të pandehurve. Po ashtu dhe shoqes së saj me iniciale E. Sh, i ka marrë shumën prej 250.000 Euro, duke  premtuar se këto para do t’i investonte në bono thesari.

Në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është zhvilluar gjykimi kundër të pandehurës me iniciale M. D, e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit” me pasoja të rënda,  parashikuar nga neni 143/3 të Kodit Penal.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1088, datë 30.04.2023 ka vendosur:

Deklarimin fajtore të pandehurës M. D, për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit” me pasoja të rënda, parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e saj me 7 (shtatë) vite e 6 (gjashtë) muaj burgim.

Në aplikim të nenit 406 te Kodit te Pr.Penale, i ulet 1/3 e masës se dënimit dhe përfundimisht e pandehura M. D, dënohet me 5 (pese) vite burgim.

Vuajtja e dënimit do të fillojë nga dita e ndalimit datë 25.05.2023. Dënimi i mbetur do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të  bërë nga e pandehura me iniciale M. D, e cila kërkoi:

Ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Deklarimin e të pandehurës të pafajshme.

Në rast se gjykata e gjen fajtore kërkojmë:

– Deklarimin fajtore të të pandehurës, për veprën penale të “Mashtrimit”, të parashikuar nga neni 143/3 të Kodit Penal dhe dënimin e saj me 5 (pesë) vite burgim.

– Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke e dënuar përfundimisht me 3 (tre) vite e 4 (katër) muaj burgim.

– Aplikimin e nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënien e të pandehurës në provë.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 13.06.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Fatri Islamaj dhe anëtare znj. Edlira Petri dhe znj. Marsela Pepi, vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 1088, datë 30.04.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Tiranë, më 13.06.2024

GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM

/ZËRI

Poll

MOS HUMB