
DURRËS- Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-drejtuesin e Kadastrës së Durrësit, Adrian Kona. Kona, i cili është kushëriri i deputetës së Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, akuzohet se ka regjistruar një pronë prej 13 mijë metrash katrorë me dokumente të falsifikuara.
Kona nuk ishte i pranishëm në seancë për shkak të problemeve shëndetësore, por të pranishëm ishin në sallë avokatja, Esmeralda Rama dhe nëna e tij, avokate, Flutura Kona.
Avokatja ka paraqitur në seancë një kartelë shëndetësore, ku thuhet se ka probleme me zemrën, është diabetik dhe ka hipertension, ndaj pas urdhër-arrestit është shtruar në spitalin e Durrësit.
E ëma e tij është shprehur se ai është “viktimë” e dy punonjësve dhe se ka firmosur pa dijeninë e tij. Sipas saj, 2 punonjësit të i kanë dërguar për firmë dokumentat e kësaj prone dhe në rutinën e firmosjes së qindra praktikave ka firmosur pa pasur dijeni per shkeljet.
Kona akuzohet se në bashkëpunim me 3 persona të tjerë, Bled Zerba, 42 vjeç, banues në Durrës dhe Leandro Dervishin, 34 vjeç, banues në Durrës, si dhe A. D., 44 vjeç, banues në Tiranë, akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve. Përfituesja e kësaj pasurie është Arta Demiraj.
Dosja për këtë pronë është hapur që në vitin 2016 nga një sërë përgjimesh që janë kryer ndaj Zerbës, i cili punonte si jurist në Kadastër. Nga përgjimet është mësuar sesi është tjetërsuar prona në Gjirin e Lalzit dhe edhe të tjera. Të gjitha manipulimet në hartën e tokave janë krhyer në vitet 2016-2017, kohë në të cilën Kona ka qene drejtues i Kadastrës.
Kështu, Gjykata e Shkallë së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka vendosur në sekuestro preventive sipërfaqen e tokës, rreth 13.000 m2, në Gjirin e Lalzit. Për këtë pasuri nuk është lëshuar asnjëherë AMTP nga institucionet përkatëse, si dhe nuk ka asnjë dokumentacion apo aplikim në Agjensinë Shtetërore të Kadastrës lidhur me këtë pasuri. Kjo tokë ishte regjistruar nga punonjësit e Kadastrës si "arë", por në fakt ka qenë pasuri me status “shtet”. /ZËRI