Aktualitet

Vrasja me armë zjarri në Tropojë! Autori dhe viktima konsumuan alkool në një lokal, 35-vjeçari në arrati

Policia është vendosur në ndjekje të autorit, e po ashtu po shoqërohen edhe persona të tjerë të përfshirë në vendin e ngjarjes.

k.m.
Vrasja me armë zjarri në Tropojë! Autori dhe viktima konsumuan
Foto ilustruese

TROPOJË- Një vrasje ka ndodhur në Dojan të Tropojës. Një 43-vjeçar, Artur Dauti, është qëlluar për vdekje me armë zjarri nga 35-vjeçari Flodrian Mulaj. Sherri ka ndodhur për motive të dobëta. Nga të dhënat e deritanishme, autori me viktimën s’kanë pasur probleme të mëparshme, por u konfliktuan sot në një lokal, që shërbente brenda një fabrike gështenje në Tropojë. Nga të dhënat e para mësohet se si viktima, ashtu edhe autori ishin në gjendje të dehur.

Teksa konsumonin pije alkoolike, të dy janë zënë, Mulaj ka shkuar në shtëpi dhe ka marrë armën e zjarrit. Më pas, është rikthyer në lokal dhe ka qëlluar Dautin duke e lënë të vdekur në vend.

Aktualisht, Policia është vendosur në ndjekje të autorit, e po ashtu po shoqërohen edhe persona të tjerë të përfshirë në vendin e ngjarjes.

Tropojë/Informacion paraprak

Rreth orës 13:40, në një lokal në fshatin Dojan, dyshohet se shtetasi F. M., rreth 35 vjeç, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri shtetasin A. D., rreth 43 vjeç, i cili për pasojë ka ndërruar jetë. Në drejtim të Tropojës janë nisur forcat operacionale të DVP Kukës, specialistët e Hetimit të Krimeve, dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë Njësia Shkodër, për lokalizimin dhe kapjen e autorit. Ndërkohë, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, si dhe shoqërimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje./ZËRI

Poll

MOS HUMB