Aktualitet

Gara për SPAK, Albert Kuliçi, Kreshnik Ajazi dhe Olsi Dado shpallin kandidaturën

Këshilli i Lartë i Prokurorisë që ka shpallur 3 vende vakante në institucionin e drejtësisë. Deri më tani ka 3 kandidatura, Albert Kuliçi, Kreshnik Ajazi dhe Ols Dado.

k.m.
Gara për SPAK, Albert Kuliçi, Kreshnik Ajazi dhe Olsi Dado shpallin
Albert Kuliçi, Ols Dado dhe Kreshnik Ajazi

TIRANË- Albert Kuliçi bëhet i pari për këtë raund që aplikon për t'u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Vendimin e tij për të aplikuar e ka bërë me dije në një njoftim zyrtar Këshilli i Lartë i Prokurorisë që ka shpallur 3 vende vakante në institucionin e drejtësisë. Por fill pas Kuliçit, edhe prokurori Ols Dado ka vendosur që të bëhet pjesë e ekipit të Prokurorisë së Posaçme. Por ndryshe nga Kuliçi, Olsi Dado që në mars të këtij viti është transferuar përkohësisht në SPAK, por tanimë do që të zyrtarizojë vendin e tij. Ndërsa, i treti për sot është drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi. 

Kush është Albert Kuliçi?

Me origjinë nga Tropoja, hetuesi vitet e fundit ka pasur në dorë dosje të bujshme në Vlorë. Kështu ai ka hetuar çështjet duke filluar nga skandali i madh i tjetërsimit të pronave në Karaburun dhe Zvërnec, e po ashtu edhe koncesionin e parkingjeve në qytetin bregdetar, i cili u anulua pasi u konstatuan një seri shkeljesh.

Kuliçi ka hetuar gjithashtu edhe një aferë në "Albpetrol", si dhe ka kërkuar vendosjen e sekuestros për një pallat 11 katësh në Vlorë, për të cilin u akuzua për shpërdorim detyre ish-kryebashkiaku Shpëtim Gjika.

Prokurori Albert Kuliçi ka filluar punë në vitin 2010 dhe punon prej vitesh në prokurorinë e Vlorës. Në dhjetor 2019, makina që ai përdorte u hodh në erë me eksploziv. Atentat, i cili u konsiderua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si sulm për shkak të funksionit. Albert Kuliçi kaloi gjithashtu me sukses procesin e Vettingut në vitin 2021, duke u rikonfirmuar në detyrë. Aktualisht, Albert Kuliçi, ushtron detyrën e tij në Prokurorinë e Vlorës, ndërkohë që është edhe anëtar i bordit të Shkollës së Magjistraturës.

Kush është Ols Dado?

Ols Dado ka punuar në sektorin privat dhe si noter, përpara se të emërohej prokuror në Prokurorinë e Pogradecit në vitin 2008. Në vitin 2010 ai u transferua në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ndërsa prej vitit 2020 ishte komanduar në Prokurorinë e Përgjishme si ndihmësmagjistrat. Vitin e shkuar, ai u përball pa telashe me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Deri më mars të 2023, shërbeu si prokuror, pranë Prokurorisë së Tiranës. Por më pas, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi unanimisht të japë opinion pozitiv për transferimin e përkohshëm të prokurorit.

Kush është Kreshnik Ajazi?

Kreshnik Ajazi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010 dhe pas një periudhe stazhi në prokurorinë e Tiranës, u emërua në Prokurorinë e Vlorës. Më vonë ai u transferua në Prokurorinë e Tiranës dhe në vitin 2019 u komandua si drejtues në Elbasan. Më 26 mars 2021, Ajazi u caktua nga Këshilli i Lartë i Pokurorisë si drejtues i Prokurorisë së Elbasanit me një mandat 3-vjeçar.

Pas dy viteve, KLP hapi garën më 29 shtator, për të plotësuar tre vendet vakante për në SPAK, që aktualisht ka në detyrë 17 prokurorë të komanduar dhe një të emëruar. Prokuroria e Posaçme u ngrit pas ndryshimeve ligjore të vitit 2017, si një strukturë e posaçme e organit të akuzës me qëllim hetimin e korrupsionit në nivele të larta dhe të krimit të organizuar./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB