
TIRANË- Tirana dhe të gjithë shqiptarët bëhen gati për të përjetuar sot një prej ndeshjeve me emocionuese të Kombëtares, përballë Çekisë, ku në rast fitoreje, shanset për një biletë në Euro 2024 që mbahet në Gjermani janë vërtetë të larta. Përpos ndeshjes që në aspektin sportiv fjalën e ka Sylvinho, edhe jashtë stadiumit Ait Albania ka një sërë përgatitjesh që situata të jetë e qetë dhe të shmanget çdo incident i mundshëm nga tifozët. Mijëra punonjës policie do të jenë në rrugët e Tiranës për të menaxhuar trafikun, por edhe numrin e madh të tifozëve që kanë ardhur dhe nga shtete të ndryshme të BE-së.
Në kuadër të përgatitjes së ndeshjes nga pikëpamja e menaxhimit ka pasur një takim mes ministrit të brendshëm Taulant Balla dhe kreut të FSHF-së Armando Duka. Ky i fundit tha se shpresonte që ndeshja e sotme të ishte një festë, jo vetëm sa i takon rezultatit por edhe sjelljes së tifozëve. Nga ana tjetër Balla tha se do të ketë zero tolerancë ndaj tifozëve që tentojnë të fusin në stadium mjete shpërthyese.
“Janë disa problematika që duhet t’i ndajmë me publikun, duke nisur nga kontrolli i biletave që do të bëhet pa hyrë në stadium, kur bëhet kontrolli fizik edhe kontrolli me pajisje e cila verifikon vlefshmërinë e biletës. Policia ka marrë masat për të luftuar falsifikimin e biletave dhe kushdo që do tentojë do të ndiqet nga policia dhe prokuroria.
Nisur nga ndeshja me Poloninë, Federata ka marrë vendime për të penguar disa persona të hyjnë në stadium, identitetet e tyre janë publike. Këto shembuj do të ndiqen dhe për ndeshjet e tjera sportive në vend. Nga FSHF na duhet që për personat që ka vendim gjykate, të përjashtohen nga eventet sportive. Dua të jem i qartë me sportdashësit dhe tifo-grupet, nuk do të tolerohen raste dhune dhe masat do të jenë drastike.
Jemi duke studiuar që Policia të rimarrë sigurinë për ndeshjet e mëdha, për mbarëvajtjen e tyre në bashkëpunim me FSHF. Për të gjithë sportdashësit dua të përsëris thirrjen për të mos tentuar të hyjnë me lëndë piroteknike, të cilat sjellin dëmtime të imazhit të vendit. Të rritim vigjilencën para ndeshjes dhe gjatë kontrolleve”, u shpreh Balla në takimin e përbashkët.
Zëri.ai sjell dhe planin e plotë të masave që janë marrë nga Policia e Shtetit për ndeshjen e sotme, nga shoqërimi i ekipeve, te bllokimi i rrugëve në afërsi të stadiumit.
-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të futbollit të Çekisë, nga aeroporti i Rinasit në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas;
-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të futbollit të Shqipërisë, në stadium;
-Kryerja e kontrollit të hollësishëm në mjediset e stadiumit dhe brenda stadiumit, për persona të paautorizuar, sende dhe lëndë të ndaluara, para se të futen tifozët;
-Organizimi i shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës;
-Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;
-Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit.
Për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare, është bashkkëpunuar me të gjitha institucionet që kanë rol në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, ndër të cilët përmendim:
• Federatën Shqiptare të Futbollit;
• Policinë Bashkiake;
• Shërbimin Zjarrfikës;
• Shoqëritë private të sigurisë (stjuartët dhe personeli i sigurisë);
• Spitalet, qendrat shëndetësore dhe ato të ndihmës së parë.
-Gjithashtu, janë vendosur kontaktet dhe po bashkëpunohet edhe me personelin e shërbimit të
sigurisë të ekipit të futbollit të Çekisë, në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë para,
gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, gjatë datës 12 tetor 2023, nga ora 15:00, deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.
Rrugët që do të jenë të bllokuara:
-bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, 20 m mbi urën e Dajtit;
-rruga “Papa Gjon Pali II”;
-rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së;
-rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së”;
-rruga “Themistokli Gërmenji”;
-rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i liceut;
-rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;
-rruga “Jul Variboba”, pranë postës;
-rruga “ Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës;
-rruga “Avdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.
"Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.
Me këtë rast, informojmë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, se në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.
Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Legjislacioni penal shqiptar e konsideron vepër penale goditjen apo çdo vepër tjetër dhune ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportive, për shkak të veprimtarisë sportive, nga persona jashtë kësaj veprimtarie, vepër penale që dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Portat e hyrjes në stadium, ditën e ndeshjes, do të hapen në orën 17:00. Apelojmë për tifozët që do të ndjekin ndeshjen në stadium, që të paraqiten në kohë dhe të zbatojnë rregullat e përmendura më lart, në mënyrë të të mos krijohen radhë ose vonesa dhe ky aktivitet të përmbyllet pa incidente, në interes të imazhit të vendit", njofton policia.
Përpos masave të policisë, nga FSHF ka pasur një organizim edhe për të pajisur çdo tifoz që do të jetë në stadium me qeleshe, të cilat janë vënë në stolat e Air Albania. Sa i takon lojtarëve që do të zbresin në fushë, tekniku Sylvinho konfirmoi në konferencën e djeshme mungesën e Armando Brojës, për të cilin kishte shpresa se do të ishte pjesë e Kombëtares, por gjendja e tij fizike nuk është ende në ditët më të mira.
-
-
Ndeshja Shqipëri-Çeki, FSHF surprizon tifozët!
11 Tetor, 19:47
Ndeshja me Çekinë është shumë e rëndësishme për kualifikimin në ‘’Euro 2024’’. Kuqezinjtë mbajnë vendin e parë në grup me 10 pikë, ndërsa Çekia është në vendin e dytë me tetë pikë. /Zëri.ai