Aktualitet

Akuzat për spiunazh/ Zbardhet biseda mes Milaim Zekës dhe Fatmir Shehollit për publikimin e materialeve të BIA-s serbe

Për publikimin e këtyre materialeve, sipas aktakuzës, Zeka dyshohet se i ka marrë Shehollit 1 mijë euro.

l.k
Akuzat për spiunazh/ Zbardhet biseda mes Milaim Zekës dhe Fatmir
Milaim Zeka dhe Fatmir Sheholli

KOSOVË- Më 30 shtator të vitit që lamë pas, në emisionin “Pa Rrotlla” të Milaim Zekës u publikuan audio-incizime dhe transkripte të bisedave të zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, materialet e bëra publike në këtë emision ishin siguruar nga Fatmir Sheholli, i cili akuzohet për spiunazh dhe shantazh. Sheholli kishte bashkëpunuar me zyrtarin e BIA-s serbe, Bojan Dimiç.

Sipas mediave në Kosovë, materialet ishin bërë publike vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, me qëllim të komprometimit të ministrit Nenad Rashiq dhe zyrtarëve të ministrisë së tij. Për publikimin e këtyre materialeve, sipas aktakuzës, Zeka dyshohet se i ka marrë Shehollit 1 mijë euro.

Në pjesët e siguruara nga aktakuza janë zbardhur edhe biseda të transkriptuara mes Shehollit dhe Zekës. Në dosjen e Prokurorisë Speciale tregohet se Fatmir Sheholli, më 24.09.2025, kontakton gazetarin Milaim Zeka, me të cilin dakordohen që të takohen. Fatmiri, në këtë telefonatë, i thotë Milaim Zekës: “Ndëgjom, me 27-tin ose 28-tin vijnë ato senet edhe i shohim dhe flasim”, përshkruhet në aktakuzë komunikimi mes tyre.

Biseda mes Fatmir Shehollit dhe Milaim Zekës
Fatmiri: Zeka.

Milaim: (Nuk dëgjohet) Si je?

Fatmiri: Qe, si je ti? A u lodhe?

Milaim: Mirë. Pak, pak.

Fatmiri: Unë bisedova me ata shokët e lamë, kur të kem kohë, kështu shkojmë te ata edhe e kryejmë atë punën te Fadili.

Milaim: Okej.

Fatmiri: Edhe... dëgjo, më të njëzet e shtatin ose njëzet e tetin vijnë ato senet, edhe i shohim unë edhe ti. Edhe kishte ashtu, qysh the ti, edhe me gojë kështu ka folur.

Milaim: Po de, po, masi t’kanë thonë, përgjimi qashtu është.

Fatmiri: Po, po, po. Kish kështu edhe me shkrim. E këta thanë i kanë specifiku këta të GIZ-it aty. Na tha: “Veç jau dhom këto”, edhe pastaj na e fusim edhe në portal, edhe në këtë YouTube-n tonë.

Milaim: Super.

Fatmiri: Kur t’mi dhonë ato, unë i thashë, thashë se i ka thashë përkthyesit dhe duhet aty pak me përkthy, duhet me... Tha: “Ja dhom”, tha, “njëmijë tash edhe njëmijë mas dhjetë dite, kur ti kryen”.

Milaim: (Nuk kuptohet.)

Fatmiri: U krye, zemër, mos ta nin. (E ndalin bisedën.)

Prokuroria e ka pyetur Shehollin nëse gazetari ka qenë në dijeni se materialet ishin siguruar nga Bojan Dimiç. Sheholli është shprehur se Zeka e dinte që materialet vinin nga “një ish-punëtor i GIZ-it” dhe se gazetari nuk kishte dijeni për komunikimet e tij me Dimiçin. Në të njëjtën deklaratë, Sheholli pretendon se Zeka i kishte kërkuar “3-4 mijë euro për përkthim, editim dhe publikim” të materialeve.

Me urdhëresë të Gjykatës, Prokuroria ka përdorur masa të veçanta hetimore për të provuar përfshirjen e Shehollit në veprimtarinë e spiunazhit. Përmes përgjimit dhe vëzhgimit, Prokuroria thotë se ka arritur të provojë se Fatmir Sheholli ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me Bojan Dimiçin, zyrtar të lartë të BIA-s, në zbatimin e planit për pranimin, transportimin dhe publikimin e materialeve të siguruara nga ky shërbim, me qëllim të ndikimit në opinionin publik dhe në jetën politike në Republikën e Kosovës.

Sipas aktakuzës, Sheholli ka pasur komunikime të drejtpërdrejta me zyrtarin e BIA-s edhe për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Nga ekzaminimi i telefonit (prova numër 23) rezulton se janë gjetur edhe komunikime të drejtpërdrejta ndërmjet të pandehurit dhe Bojan Dimiçit, në lidhje me pjesëtarët e UÇK-së, si: “O ocu Nuredinu, bivsem pripsdniju OVK ima nesto sitno, nebitno”, e dërguar më datën 07.02.2024, në orën 11:11:31 (koha reale 13:11:31). Nga përkthimi i saj rezulton se Bojan Dimiç e njofton Fatmir Shehollin: “Për babain e Nuredinit, ish-pjesëtarin e UÇK-së, ka diçka të imët, por të parëndësishme”, thuhet në aktakuzë.

Sa i përket materialeve të pranuara nga Sheholli, Prokuroria e bazon këtë në audio-incizimet e realizuara në makinë.

Biseda me zyrtarin e BIA-s
Fatmiri: Për nja 20 minuta do të jem me avokaten. Ajo do ta sqarojë mënyrën për në spital atje... Ajo do ta sqarojë se si funksionon dhe cili është plani që ajo e ka menduar. Për 20 minuta jam te ajo.

Fatmiri: Më thuaj për atë të dytën, çka po bëjmë me këtë të dytën... (Bashkëbiseduesi nuk dëgjohet.)

Fatmiri: A do të më thërrasë mua dikush apo çka? Nesër është data 24, duhet së paku dy ditë t’i shikojmë, kupton? Nuk është bash qaq e lehtë... Vetëm të lutem, shiko se ata budallenjtë mund të na përcjellin, më kupto.

Bojan Dimiç: Po, vëlla, unë nuk mundem... Përmend Mitrovicën, por nuk kuptohet pse.

Fatmiri: O, vetëm ai që vjen mos të jetë që mund ta përcjellin lehtë këta...

Bojan Dimiç: Pasi të kryhet emisioni, e merr pjesën e dytë.

Fatmiri: E kryer është kjo. Lajmëromë ti mua kur të shkoj për veri. Veç mos u vono, se i 12-ti vjen shpejt. Nesër është i 24-ti, nesër është dyvjetori i Banjskës, kështu që mund të ketë gjithçka.

Bojan Dimiç: Nesër është dita ku duhet të kemi kujdes, të ruhemi.

Fatmiri: Po, po, nesër, pasnesër, më së voni deri më 27-tin.

Bojan Dimiç: Shohim gjatë këtyre dy ditëve. E gjitha është e përgatitur... Të kesh kujdes për shkak të përgjimit, e kupton.

Fatmiri: O, i kam thënë që GIZ-i m’i ka dhënë, e kupton.

Bojan Dimiç: ... Është në gjuhën serbe, se duhet të përkthehet. Ka edhe diçka që mund të mos dëgjohet.

Fatmiri: A ka edhe bisedë apo ka vetëm me shkrim?

Bojan Dimiç: Ka edhe bisedë, edhe me shkrim.

Fatmiri: Në rregull, u morëm vesh, u kuptum. Mu nuk ma nin k..., ma ka dhënë GIZ-i dhe ditën e mirë.

Bojan Dimiç: (Nuk dëgjohet.)

Fatmiri: Po leje atë. Ligji thotë, nuk ki nevojë me thanë asgjë... Në rregull është ajo, mos u brengos.

Bojan Dimiç: U dakordum.

Fatmiri: Vetëm deri më 27-tin, nesër kurrsesi... Të thërras kur të jem me avokaten, që të tregoj ajo për atë./ZËRI

Poll

MOS HUMB