Aktualitet

AKSK paralajmëron qytetarët: Kujdes nga mesazhet mashtruese për gjoba trafiku, mos klikoni linqet

AKSK u bën thirrje qytetarëve të mos reagojnë ndaj këtyre mesazheve, të mos klikojnë në asnjë link të përfshirë dhe të verifikojnë çdo njoftim vetëm përmes kanaleve zyrtare të institucioneve.

zh.ll
AKSK paralajmëron qytetarët: Kujdes nga mesazhet mashtruese për
foto ilustruese

TIRANË- Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka paralajmëruar qytetarët për një skemë të re mashtrimi që po qarkullon përmes SMS-ve, ku mesazhet paraqiten si njoftime zyrtare të Policisë Rrugore për shkelje të pretenduara të qarkullimit rrugor dhe pagesa gjobash. Sipas autoritetit, këto mesazhe synojnë të krijojnë panik dhe ndjenjë urgjence, duke i shtyrë qytetarët të klikojnë në lidhje të dyshimta ose të japin të dhëna personale dhe bankare.

AKSK u bën thirrje qytetarëve të mos reagojnë ndaj këtyre mesazheve, të mos klikojnë në asnjë link të përfshirë dhe të verifikojnë çdo njoftim vetëm përmes kanaleve zyrtare të institucioneve.

Njoftimi i plotë:

Kujdes nga mesazhet mashtruese për gjoba të trafikut!

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike informon qytetarët se po qarkullojnë mesazhe mashtruese, të cilat paraqiten në mënyrë të rreme si njoftime nga Policia Rrugore për shkelje të pretenduara të qarkullimit dhe pagesa gjobash.

Mesazhet dërgohen nga numra të huaj dhe përmbajnë lidhje të dyshimta, afate të shkurtra pagese, kërcënime për masa administrative, si dhe oferta për ulje të gjobës. Qëllimi i tyre është të krijojnë ndjenjë urgjence dhe të nxisin qytetarët të klikojnë në lidhje të rreme ose të japin të dhëna personale dhe financiare.

AKSK u bën thirrje qytetarëve që:

-Të mos klikojnë në lidhjet e përfshira në këto mesazhe.
-Të mos iu përgjigjen kërkesave për konfirmim apo dërgim të të dhënave.
-Të verifikojnë çdo njoftim vetëm përmes kanaleve zyrtare të institucioneve.
-Të bllokojnë numrin dhe ta raportojnë mesazhin si spam.
-Në rast se kanë vendosur të dhëna bankare, të kontaktojnë menjëherë bankën përkatëse.

AKSK rikujton se institucionet publike nuk kërkojnë pagesa, kode sigurie, fjalëkalime apo të dhëna bankare përmes lidhjeve të dërguara nga numra të panjohur.

Mos veproni nën presion. Verifikoni përpara se të klikoni.

Poll

MOS HUMB