
TIRANË- Deputetët e Partisë Demokratike, të kryesuar nga Ina Zhupa, kanë kërkuar largimin nga gjykimi i çështjes së Butrintit, gjyqtarin Gent Ibrahimi. Ish-kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë që aktualisht po ushtron detyrën pranë Gjykatës Kushtetuese, sipas demokratëve, ka konflikt interesi. Sipas tyre ka informacion që ky gjyqtar ka njohje dhe marrëdhënie miqësore me dy bashkëdrejtorët e Fondacionit (AADF), që po merr me koncension Butrintin, madje kanë publikuar edhe një foto të tij me Martin Matën.
Ndaj edhe ngrenë dyshime nëse objektiviteti dhe panashmëria në gjykim do të jenë apo jo të cënuar. Fotoja e Ibrahimit dhe dy bashkëdrejtorëve të Fondacionit (AADF) është publikuar gjithashtu edhe nga Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.
"Çështja “Butrinti” vazhdon në Gjykatën Kushtetuese. Së fundmi kërkuesit, deputetë të Kuvendit të përfaqësuar nga deputetja Ina Zhupa, kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtarit z. Gent Ibrahimi, sepse është siguruar informacion që ky gjyqtar ka njohje a marrëdhënie miqësore me dy bashkëdrejtorët e Fondacionit (AADF) anëtarë të Bordit të FMB-së, që po merr me koncension Butrintin. Për kërkuesit, gjyqtari Ibrahimi, ndodhet ligjërisht në situatë të papajtueshmërisë për gjykimin e kësaj çështje, për shkak të lidhjeve me anëtarët e Bordit Drejtues të FMB-së, pjesëmarrës në gjykimin kushtetues. Gjyqtari sipas nenit 36-37 të ligjit nr. 8577/2000, duhet të kishte dhënë dorëheqjen, pasi vihet në dyshim paanshmëria e tij në këtë proces. Ja shikoni këtë foto. Në këto kushte a duhet të vazhdonte gjyqtari Gent Ibrahimi të ishte pjesë e trupës gjyqësore, ku objektiviteti dhe panashmëria të paktën dhe dukshmërisht duket e cënuar?"-shkruan Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.
NJOFTIMI I PLOTË:
Një grup prej 36 deputetësh i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese të shfuqizojë si antikushtetues ligjin mbi administrimin e atij Parku Kombëtar. Ligji u miratua nga Kuvendi 18 muaj më parë mes debateve të ndezura në Kuvend, ndërsa Gjykata Kushtetuese e regjistroi kërkesën e deputetëve opozitarë plot një vit më parë, ndërsa deri më tani janë zhvilluar disa seanca në janar, shkurt, korrik, tetor dhe tani në nëntor.
Ligji shkaktoi protesta dhe debate të ndezura nga shoqëria civile dhe nga deputetët opozitarë, që dyshojnë për shfrytëzim të paligjshëm dhe antikushtetues të një pasurie të madhe të vendit, e cila mund të dëmtohet nga menaxhimi privat i kësaj forme. Qeveria beson se ky ligj është një hap me rëndësi për mirëmenaxhimin e Parkut, ndaj edhe themeluan Fondacionin për Menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit, për një afat 10-vjeçar, me të drejtë ripërtëritje./Zëri.ai