
KRUJË- Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur paraditen e të mërkurë në një gurore në Krujë. Punëtori i gurores, Lulzim Balla, 38 vjeç nga Fushë Kruja është shtypur nga një kamion i tonazhit të rëndë, në vendin e punës. Punëtori është ndjerë keq dhe është rrëzuar përpara mjetit të tonazhit të rëndë, që ka qenë duke lëvizur.
I aksidentuar, punëtori është dërguar menjëherë në urgjencë, por se për fat të keq ka ndërruar jetë rrugës. Aksidenti ndodhi në guroren "Babasi 2". Pronari i gurores ku ndodhi aksidenti tragjik rezulton se është Besnik Babasi.
Në janar Babasi u arrestua në flagrancë për akuzat “Shpërdorimi i tokës”, “Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës”, “Prerja e paligjshme e pyjeve“ dhe “Transportimi i mbetjeve toksike”. Ai është anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së.
Policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka shoqëruar në komisariat shoferin e kamionit. Hetimet për ngjarjen vazhdojnë.
Njoftimi i policisë:
Më datë 14.02.2024, në ambientet e një pike grumbullimi mjetesh (automjete/mjete pune), shtetasi B. L., duke drejtuar një mjet trajler, ka dëmtuar shtetasin J. B., 37 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra, ka ndërruar jetë.
Shtetasi B. L., është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes./ZËRI