
DURRËS- Arrestohet autori i vrasjes me thikë në Durrës, Ilir Koçilja. Autori 35-vjeçar i vrasjes së Halil Kokës është kapur disa orë pasi vrau nipin e ish-ministrit Lefter Koka. Ndërsa me vete, të vendosur në brez, kishte ende thikën me të cilën kreu edhe vrasjen e fqinjit të tij vetëm sepse ky i fundit i kërkoi që t'i kthente borxhin. Ngjarja ndodhi në afërsi të shkollës 9-vjeçare “Jusuf Puka”.
NJOFTIMI I PLOTË:
Durrës
Falë reagimit në kohë, kontrollit dhe ndjekjes së pandërprerë të Policisë, kapet dhe vihet në pranga autori i plagosjes me pasojë vdekjen e 46-vjeçarit. Sekuestrohet mjeti prerës (thikë) me të cilin dyshohet se u krye vrasja. Shërbimet e DVP Durrës, pas identifikimit të autorit të ngjarjes së ndodhur mesditën e sotme, në lagjen nr. 4, ku u godit me mjet prerës (thikë), shtetasi H. K., 46 vjeç, i cili si pasojë, humbi jetën gjatë transportimit në spital, vijuan kontrollet intensive në zonë, për lokalizimin dhe kapjen e autorit. Si rezultat i kontrolleve, në lagjen nr. 11, Durrës, u kap nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe u vu në pranga autori i dyshuar, shtetasi I. K., 35 vjeç, i cili dyshohet se vuan nga sëmundje mendore. Gjithashtu, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit fizik, i kanë gjetur 35-vjeçarit, mjetin prerës (thikë) me të cilin dyshohet se kreu vrasjen. Në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Koçilja, i njohur për Policinë e Durrësit, ndoqi dhe goditi me thikë në zemër Halil Kokën, i cili ndërroi jetë rrugës për në spital./ZËRI