Aktualitet

Skeda kriminale e Altin Çokut, kërcënoi mjekun psikiatër: Gjej 1 mijë euro, ose do të vras kë më del para

A ka ardhur koha që barra për personat që vuajnë nga probleme të shëndetit mendorë, të mos lihet vetëm në dorën e familjes dhe shoqërisë?

E.K
Skeda kriminale e Altin Çokut, kërcënoi mjekun psikiatër:
Altin Coku

TIRANË- Prokuroria e Tiranës do të kërkojë masën e sigurisë arrest me burg për Altin Çokun, duke i adresuar akuzën e “Shkaktimit të vetëvrasjes”, pasi një Sibela Abedini i dha fund jetës duke u hedhur nga një pallat në zonën e Kamzës në Tiranë. Tashmë kanë dalë disa episode, ku Çoku dhe më herët ka qenë i përfshirë në ngjarje kriminale, por ka mundur që të shpëtojë, për shkak se është klasifikuar si person që vuan nga problemet mendore. Përveç tentativës për të djegur kushëririn e tij, djalin e dajes, për shkak se motra e të miturit ishte ndarë nga një lidhje me Çokun, 39-vjeçari ka qenë i dënuar dhe nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda në vitin 2015, pasi kërcënoi me jetë mjekun e tij psikiatër G.S. në vitin 2014.

“Në muajin Qershor të vitit 2014, i pandehuri Altin Çoku i ka shkuar në zyrë dhe i ka kërkuar lekë për të mjekuar gocën e tij dhe për t’ia dhënë avokatit për një cështje që kishte. Disa herë Altini ka i kërkuar para shtetasit G. S. edhe nëpërmjet mesazheve telefonike. Kallëzuesi në deklarimet tij sqaron se shtetasit Altin Çoku i ka dhënë në mënyrë të vazhdueshme lekë në sasi të ndryshme, në një vlerë totale prej 4 mijë euro, i detyruar për shkak të kërcënimeve të herë pas hershme.”

Në dosje thuhet “Se më datë 27.03.2015, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda,Tiranë, ka paraqitur për gjykim çështjen penale kundër të pandehurit Altin Çoku, duke e akuzuar për kryerje të veprës penale të “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e  pasurisë”, vepër e parashikuar nga neni 109, gërma “b”/1 i Kodit Penal. Kërkesa për gjykimin e procedimit penal nr.345, viti 2014, ndaj të pandehurit Altin Çoku, është regjistruar më datë 27.03.2015, në Gjykatën për Krime të Rënda Tiranë dhe më datë 02.04.2015, është marrë në dorëzim nga gjyqtarja e caktuar me short. Në zbatim të nenit 333 të K.Pr.Penale, seanca gjyqësore u caktua në datën 24.04.2015, duke u siguruar palëve afatin e nevojshëm të parashikuar në nenin 333/2 të K.Pr.Penale”.

“Duke iu referuar akteve dhe provave të shqyrtuara rezulton se, i pandehuri Altin Çoku, i ka kërkuar të dëmtuarit G. S. disa herë para, në mënyrë verbale por, edhe me anë të telefonit, mesazheve telefonike,por edhe me anë të letrave  të shkruara, kërkese e cila rezulton se, është bërë në formën e kërcënimit të paligjshëm, duke e kërcënuar të dëmtuarin se, “Une jam ke shpija më bëj sms a të vij sipër e ti marr apo nuk ke gjet gjato vroj se fol me njeri se un o ti gjall pastaj”. Këto mesazhe kanë qenë në mënyrë të vazhdueshme, ku vetëm në datën 25.06.2014, nga numri i telefonit të pandehurit Altin Coku 0682792686,në drejtim të telefonit të shtetasit të dëmtuar G. S. në rubrikën e mesazheve, vërtetuar me proces-verbalin e datës 16.09.2014, rezulton se jane rregjistruar 6 mesazhe.

Rezultoi e provuar se nëpërmjet, procesverbal për kqyrjen e marrjen e dokumentave shkresore, datë 10.12.2014 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, ku objekt kqyrjeje është një fletë A4 ku janë bërë dy paragrafe me shënime dërguar të demtuarit, nga ana e shtetasit Altin  Çoku rezulton se [shkruar me shkrim dore]….Gëzim un jam ne hall dhe me ndimo po dashte me i marr lekt tuja; dhe nese nuk do me pas gjakderdhje un per 5 minuta jam dhe vet aty gzim me ndimo te lutem deri neser, Tani gjej ku te dush 1000 euro deri neser ose kam me vra kush te me dali para””, thuhet në dosje.

Altin Çoku deklaratë me shkrim dore, ku kërkon falje për kërcënimet në drejtim të mjekut

Më datë 5 shtator 2014, Altin Çoku ka bërë një deklaratë me shkrim dore, ku kërkon falje për kërcënimet që ka bërë ndaj mjekut. “Doktor Gëzimi nuk me ka asnjë lloj borxhi …..për të gjitha shqetësimet qe i kam sjellë si me telefon ashtu dhe me gojë i kërkoj falje……nga ky moment nuk do këtë asnjë lloj shqetësimi nga ana ime për çdo problem që unë do t’i nxjerr doktor Gëzimit mbaj përgjegjësi penale para ligjit”, thuhet në dosjen e Prokurorisë së Tiranës.

Por pavarësisht dënimeve, apo implikimeve në ngjarje të ndryshme, Çoku ishte lënë i lirë, dhe pak ditë më parë shkaktoi edhe vetëvrasjen e Sibela Abedinit, të cilës i kishte publikuar një foto teksa të dy kishin qenë në një hotel. Familjarët e të resë kanë kërkuar zbardhjen e ngjarjes dhe vendosjen e drejtësisë, pasi në të kundërt do të bëjnë vetëgjyqësi. /ZËRI

Poll

MOS HUMB