Aktualitet

"Ai ishte i vdekur", gjyshi i Brian Spahiut rrëfen orët e tmerrit pas daljes nga klinika "Spledent"

Spahiu thotë se mjeku gënjen që thotë se nuk e kanë marrë në telefon, pasi familjarët kanë tentuar të komunikojnë me mjekun. 

f.g
"Ai ishte i vdekur", gjyshi i Brian Spahiut rrëfen orët e
Roland Xhaxho dhe Guri Spahiu

TIRANE- Guri Spahiu, gjyshi i Brian Spahiut, 3-vjeçarit që humbi jetën pas ndërhyrjes në klinikën "Spledent", deklaron se vogëlushi ishte "i vdekur" që pas daljes nga klinika. Spahiu thotë se djali kishte reagim të vakët, të dobët, pati rritje të temperaturës dhe nuk fliste. Spahiu thotë se mjeku gënjen që thotë se nuk e kanë marrë në telefon, pasi familjarët kanë tentuar të komunikojnë me mjekun. 

"E morëm djalin ishte përgjumësh, nuk reagonte. Hapi njëherë sytë dhe më pa. Ai ishte i vdekur. Ne e kemi marrë disa herë, ai del thotë në televizor që nuk më kanë marrë. Por ne e kemi marrë, ia dhamë Policisë tabulatet. Shkuam në QSUT, sa u pa pulsi i djalit, erdhën të gjithë mjekët, thanë ti heqim narkozën e tepërt. E vërteta është në mes të sheshit, ne e bëmë pagesën e narkozës, 300 euro, në rast shtese paguhet më tepër. Iu hodhën dy doza, kjo provohet nga pagesat që bëmë. I kemi dorëzuar të gjitha fotokopjet. është pagesa dy herë, vetëm të jetë djali mirë. Mjekët kur panë djalin u ngritën në këmbë dhe vunë urgjencë për të hequr djalin narkozën. I vunë tubat dhe i hoqën narkozën. Ditën tjetër, u mblodhën për konsultë. Unë isha me mjekët, Xhaxhon e kisha në krah. Ata psherëtinin. Mjeku në krah ishte i shqetësuar dhe po e shihte që djali nuk kthehej. Ju thashë që ju e dini diagnozën, djalin e mori ky në qafë. Ku e di ti më thanë? I thashë më thoni çfarë ka djali të sëmurë? Më jepni diagnozën! Ditën e dytë më tha, u përmirësua gjendja. I thashë si u përmirësua?"-tha Spahiu. 

Ngjarja e rëndë u bë publike dy ditë më parë, por gjithçka ka filluar më 28 shtator, në orën 10:00 të paradites. I vogli u dërgua në klinikë dhe iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale për 9 orë. Sipas dëshmive, Xhaxho u kishte garantuar familjarëve se procedura ishte një sukses dhe fëmija iu është dorëzuar familjarëve për ta marrë në shtëpi rreth orës 19:00, sipas tyre po në gjendje të pavetëdijshme. Menjëherë pas dërgimit në banesë, djalit i është rritur edhe temperatura, gjë që ka alarmuar prindërit të cilët e kanë dërguar më pas në Pediatrinë e QSUT-së, ku Briani është intubuar për shkak se sipas mjekëve, mëlçia e tij kishte dalë jashtë funksionit. Ai ka qëndruar në terapi, e cila nuk ka dhënë rezultat dhe më 1 Tetor, i vogli ka humbur jetën. Prindërit e fëmijës kanë kallëzuar në Polici, pasi sipas tyre shkaku i vdekjes së djalit ka qenë mbidoza e anestezisë./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB