Aktualitet

Adi Krasta në qendër të kritikave në Kosovë/ Baze: Boll e trajtuat si disident të Ramës e Berishës! Bushati: Tregues demokracie

Një shkrim i paverifikuar për Nacionalen dhe Periskopin, dhe një foto me shefen e kabinetit të Albin Kurtit, kanë shkaktuar një valë reagimesh kundër Adi Krastës në Kosovë, ndërsa zhurma e tyre është komentuar dhe nga analistët e Tiranës

E.K
Adi Krasta në qendër të kritikave në Kosovë/ Baze: Boll
Mero Baze, Adi Krasta dhe Andi Bushati

TIRANË- Prej ditësh në mediat e Kosovës ka nisur një përplasje, dhe një valë akuzash përkundrejt Radiotelevizionit Publik, për shkak të një shkrimi të paverifikuar që shënjestronte Nacionalen dhe Periskopin. Duke iu referuar një medie jo shumë të njohur në Bosnje, RTK prodhoi një lajm ku akuzonte dy mediat në Kosovë, se ishin të paguara nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Reagimi ishte i menjëhershëm nga të dyja mediat, që kanë nisur dhe betejën ligjore, përkundrejt RTK-së, ndërsa disa anëtarë të Bordit të televizionit publik dhanë dorëheqjen. Ata akuzojnë Adi Krastën, zv.drejtor i televizionit, se nuk ka marrë masat e duhura, për të shkarkuar autorët e lajmit të paverifikuar, por nga ana e tij deri tani ka vetëm heshtje. 

Përpos kritikave për publikimin e lajmit të paverifikuar, në mediat në Kosovë qarkulloi dhe një fotografi e Adi Krastës me shefen e kabinetit të Albin Kurtit, Dejona Mihalin, dhe u aludua për varësinë politike të tij. Kjo nxiti një sërë reagimesh kundër Krastës, që u shtuan me kalimin e ditëve, dhe me dorëheqjet që pasuan në bordin drejtues të RTK-së, dhe mosvënien para përgjegjësisë së autorëve të shkrimit që godiste Nacionalen dhe Periskopin.

Tashmë që shumica e mediave në Kosovë, janë duke trajtuar rastin, përplasja nuk ka kaluar pa vëmendje edhe nga analistët në Shqipëri, edhe për shkak të angazhimit të gjatë që Adi Krasta ka pasur në mediet e Tiranës. Një prej atyre që ka komentuar së pari përplasjen është analisti Mero Baze, i cili thotë se Krasta është cilësuar me patëdrejtë një disident i politikës së Tiranës, dhe se prej tij ka pasur pritshmëri më të larta se realiteti.

“Sulmet ndaj Adi Krastës në Kosovë, nga komuniteti i gazetarëve, janë të paargumentuara dhe nuk bazohen tek objektivat e tij për karrierë në RTK, por tek referencat e shpikura për “disidencën” e tij në Shqipëri.

Ka gjithmonë një keqkuptim mes Shqipërisë dhe Kosovës sa i përket profilit të intelektualëve, gazetarëve apo personaliteteve të tjera publike. Promovimet e tyre të ndërsjella shpesh janë klienteliste. Në këtë listë bën pjesë dhe Adi Krasta.

Po të shikosh shumicën e njerëzve të zemëruar në Kosovë me Adi Krastën, i referohen atij si disident i Edi Ramës dhe Sali Beirshës në gazetari, në Shqipëri.

Dhe pas kësaj ndjehen të revoltuar.

Nëse e keni seriozisht se keni marrë në punë një “disident” të Edi Ramës apo Sali Berishës, nuk keni asnjë të drejtë të reagoni ndaj tij. Adi Krasta nuk e pretendon besoj as vetë këtë gjë. Vetëm nëse ua ka thënë në ndonjë kafe në Prishtinë. 

Ai është një person popullor në Shqipëri, si prezantues i programeve muzikore, duke e nisur qysh në vitin 1992, pastaj me prezantim misesh apo festivalesh në radiotelevizion.

Është nga më të mirët në këtë fushë.

Dikush e ka rrahur kur ka qenë Berisha në pushtet, ndërkohë që prezantonte misse dhe festivale, pa u marrë me politikë, por as ai, as Berisha, nuk e kanë sqaruar, as kur u bënë miq bashkë në televizionin e Berishës. 

Po ashtu është përhapur një legjendë nga Berisha, se Krasta është zënë me Edi Ramën gjatë një pritje të ngushtë në vitin 2013. Edi Rama ka thënë se kjo nuk ka ndodhur, kurse Krasta nuk ka folur, por ka folur Berisha në vend te tij.

Nëse këto dy akte quhen disidencë dhe merren për gazetari, është problem i atyre që e kanë besuar në Kosovë, jo i Adi Krastës. Nëse jeni hutuar pas të folurit rrjedhshëm dhe shpejt, nuk ju vë faj. Por ajo quhet ligjërim, jo disidencë. Po të ishte disidencë të folurit rrjedhshëm dhe pa fund, më i madhi “disident” në këtë fushë do ishte Fatmir Mediu, i ndjekur nga Grida Duma. 

Lëvizjet e Krastës nga një TV në tjetrin kanë qenë çështje kontratash, jo disidencë politike. Ai u largua nga Top Channel për performancë të ulët të programit dhe e sulmoi atë pastaj si televizion që financohet nga droga, dhe filloi punë tek Agon TV, një televizion i familjes italiane që është nën akuzë, dhe me disa pjesëtarë familje dënuar si pjesë e mafias së plehrave në Romë. Pastaj pati një thyerje zemre dhe u kthye prapë në Top Channel, pasi nuk vinte më era drogë, dhe në fund përfundoi tek një TV familjar i Berishës. 

Këto lëvizje kërkojnë një farë trimërie, por jo disidencë. 

Adi Krasta vazhdon punon në televizionin e Berishës në Shqipëri, paralelisht me të qenit nëndrejtor i RTK në Kosovë dhe të gjithë kemi menduar se ka shkuar në Kosovë për ndonjë koncert apo prezantim të festivalit të këngës.

Tani është e qartë se ai po bëhet drejtor i Radiotelevizionit të Kosovës para zgjedhjeve. Mendoj se Albini nuk e ka menduar keq. Një prezantues televiziv, apo shoumen, është i përshtatshëm për të drejtuar një televizion kombëtar që kërkon ta përdorësh politikisht, se duke mos qenë gazetar, i kushton më shumë rëndësi anës artistike të televizionit dhe programeve argëtuese, ndërsa kryeredaktor bëhet një komisar/e politik, ose në rastin konkret kjo shefja e kabinetit të Albinit, që ka arritur t'ia bëjë Albinit më të dashur Greqinë se Shqipërinë për katër vite.

Por Krastën nuk mund ta pengosh të bëhet drejtor i RTK në Kosovë, duke shpikur arsyetime të tipit “në Shqipëri ke qenë disident” e këtu jo. Nuk po konkurron për disident, por për drejtor të televizionit publik, nën mbështetjen e partisë në pushtet.

Mos bëni betejë me keqkuptimet tuaja. Ose bëni betejë të ruani RTK si televizion publik, dhe kjo është mbi të gjitha betejë politike, ose pranoni kandidaturat e Albin Kurtit. Në këtë rast nuk e ka zgjedhur keq. Krasta bën pjesën e shout argëtues, kurse Albini e Dejona atë të shout politik”, shkruan Baze në postimin e tij.

Ndërkohë që teksa analizon debatin që ka në qendër Adi Krastën, Andi Bushati thotë se kjo është një shenjë e demokracisë në Kosovë, që është më përpara në raport me Shqipërinë. Bushati shprehet se edhe pse ndan qëndrime të ndryshme me drejtuesit e Nacionales dhe Periskopit, ai është i bindur se asnjëri prej tyre nuk ka marrë ndonjëherë para nga pushteti i Serbisë.

“Një debat i vërtetë demokratik, nga ata që në pamje të parë duket se i interesojnë vetëm një elite të ngushtë, por që në të vërtetë janë termometër i shoqërisë së një vendi, po zhvillohet ditët e fundit në Prishtinë. Në qendër të tij është vënë Televizioni Publik i Kosovës (RTK), ndërsa në anën tjetrër partia në pushtet. Personazhe janë dy gazetarë tejet kritikë me Albin Kurtin, Berat Buzhala dhe Ilir Mirena dhe në krahun e kundërt një shpurë zyrtarësh mediatikë mes të cilëve është gjendur çuditërisht edhe moderatori, Adi Krasta, që ka një post të lartë drejtues në RTK.

Kësaj menyje perfekte për të shkaktuar polemika i janë shtuar disa dorëheqje të rëndësishme gazetarësh dhe anëtarësh bordi të transmetuesit publik, prononcime opinionistësh me emër e po ashtu dhe reagime të shoqatave të lirisë së shtypit.

Kur përmend të gjitha këto elementë që konvergojnë tek beteja e përhershme mes medias dhe pushtetit, instikti të thotë se bëhet fjalë për një vend me demokraci të kërcënuar. Dhe po të shtjellosh ngjarjen, që i ka mpleksur bashkë këto ide dhe këta personazhe, kjo përshtypje të përforcohet.

Diçka më shumë sesa një muaj më parë, padyshim me frymëzim nga njërëz pranë pushtetit në Prishtinë, një portal i dyshimtë boshnjak, “Slobodna Bosna” (Bosnja e Lirë), publikoi një lajm se mediat online të Buzhalës dhe Mirenës, përkatësisht Nacionale dhe Periskopi, financoheshin nga Serbia. Sa hap e mbyll sytë, këtij artikulli skandaloz dhe pa fakte i’u dha hapsirë edhe në RTK. Situata u bë më absurde kur deputetë të Vetvendosjes bënë deklarata që e merrnin të mirqenë këtë produkt, simbol të epokës të të vërtetave alternative, ndërsa antarë të kabinetit qeveritar i bënë thirrje prokurorisë të hetonte ata që financoheshin nga Beogradi. Deri këtu ngjarja është rënqethëse. Një amalgamë e shkallmimit të kufijve mes pushteteve që ndodh vetëm në sisteme autoritare.

Ajo dëshmonte së pari për depërtimin e zgjatimeve të politikës mbi median, aq më tepër mbi atë që financohet nga paratë e qytetarëve. Ajo ngrinte shqetësimin e mentalitetit diktatorial, që reket ti etiketojë kritikët, që mendojnë ndryshe, si “të shitur tek armiku”. Ajo shtonte dyshimin e një qeverisjeje, që lojdhja e ka bërë nervëshkatëruar, të pa duruar, dhe me riskun e humbjes së sensit të realitetit.

Le të jemi të qartë. Për mbarëvajtjen e punëve në Kosovë, unë personalisht, kam mendim krejt të kundërt nga Mirena dhe Buzhala (me këtë të fundit tani më ndan dhe kthesa e beftë që ka marrë ndaj qeverisjes në Shqipëri), por ama do ti lutesha të afërmve të mij të më vizitonin tek psikiatri, ndonëse, qoftë edhe një herë të vetme, do më përshkëndiste në mendje, se idetë e tyre financohen nga Vuçiçi. As unë, e besoj asnjë njeri normal, nuk mund të ndajë asgjë të përbashkët me ata që logjikojnë kështu dhe që përpiqen t’i imponojnë shoqërisë një mentalitet të tillë.

Në këtë kuptim, ajo që ka ndodhur me lajmin e infiltruar, në “Slobodna Bosna”, me rimarjen e tij nga RTK dhe më pas me propogandimin që i’u bë nga deputetë e ministra të VV është një skandal. Edhe më skandaloze është përpjekja për ti mbrojtur abuzuesit, paçka se shumë dëshmi dhe një raport zyrtar, i nxorën në dritën e diellit mëkatet e shërbimit të tyre.

Pra, nëse do të vendosim të shohim vetëm gjysmën bosh të gotës, kjo ngjarje mund të përdorej si kazus perfekt për të ilustruar rezikun e një pushteti autokratik në Prishtinë, ku rolin e të keqit nuk e luan askush tjetër përpos Albin Kurtit.

Por, fatmirësisht gota ka dhe anën tjetër të saj. Me të ndodhur ky skandal, shumë gazetarë brenda televizionit publik ngritën zërin dhe treguan të vërtetën. Presioni i shoqërisë e detyroi bordin të niste një hetim dhe të hartonte një raport. Në rekorde u shënuan profesionistët e parë që dhanë dorëheqjen në respekt të parimeve të tyre. Atyre iu shtuan edhe kreu i bordit të RTK-së dhe një anëtare tjetër, që u dorëhoqën, në shenjë proteste për mosndëshkimin e fajtorëve. E gjitha kjo u zhvillua në një gati unison, mes gazetarëve kritikë të Prishtinës dhe atyre që punonin në mediat pro qeverisë, për të denoncuar këto përdhosje të profesionit.

Tani, si një gazetar që me punën e tij të përditshme e di se çdo të thotë të mbijetosh në një mjedis antidemokratik, unë i pyes kolegët e mij kosovarë: A mund të ndodhnin këto akte lirie në Tiranë? Sa kohë ka që në këtë anën tonë të kombit, jo vetëm në media, por askund, askush nuk jep dorëheqje për arsye morale? Sa vite ka që reporterët që punojnë për pronarë të lidhur me qeverinë janë bërë memecë dhe nuk guxojnë të shprehen kundër padronit të shefave të tyre? A mund të mendohet, këtej kufirit, që dikush nga bordi i RTSH- të mund të hedhi dorashkën, ngaqë nuk bie dakord me politikat botuese të institucionit? 

Natyrisht që dikush mund të përgjigjej thjeshtë se nuk ka ç’i duhet krahasimi me një shembull të keq si Shqipëria. Por këtu qëllimi nuk është tek paralelizmi në vetvete, por tek përpjekja për të kuptuar se cilat janë rrethnat reale të mungesës së lirisë. Mendimi i pavarur, artikulimi i tij pa drojë në publik, shprehja e solidaritetit me kolegët dhe dorëheqjet si formë proteste mund të ndodhin vetëm aty ku shtypja mungon.  

Në një regjim autokratik këto janë lukse të harruara. Në Shqipërinë e Edi Ramës, që është shumë më keq se ajo e Berishës së parë, as nuk debatohet më për gjëra të tilla.

Prandaj, sa do i madh të jetë skandali i “Slobodna Bosna”, sado keqëdashëse qëllimet e tij, sërish në Kosovë ka arsye për të qenë optimist. Ndryshimi mes asaj që ndodh këtu dhe realitetit të atyshëm është i ndjeshëm. Ne jetojmë në një hapsirë ku vullneti i njëshit e ka mposhtur shoqërinë, ndërsa atje ka shenja të qarta të rezistencës ndaj tekave të pushtetit. Ky është në thelb dallimi midis demokracisë që vazhdon të gjallojë në Kosovë dhe asgjesimit të saj që ka ndodhur tek ne.

Si e tillë, sado e trishtë të jetë historia e sajuar me gazetarë të paguar nga Beogrdi, sado shqetësuese që të jetë shija që të lë ajo, prapsëprapë, mënyra si u zhvillua debati rreth saj, forma si u protestua dhe u kundërshtua, janë dëshmi të forta se me gjithë përpjekjet për shtrembërime, loja në Kosovë vazhdon të zhvillohet në kuadrin e një shoqërie të lirë, ku frika dhe paraja nuk e kanë mposhtur guximin për të reaguar. Kjo është gjysma plot e gotës së cilës duhet ti gëzohemi të gjithë”, shkruan Bushati në analizën e tij.

Për gazetarin Ermal Mulosmani, qëndrimi i Bushatit në fakt dëshmon linjën e vazhdueshme që ai ka mbajtur, pro qeverisë në pushtet të Albin Kurtit.  Ai thotë se qëndrimi i Bushatit është qesharak, pasi lë të kuptosh se demokracia në Kosovë, është shumë më e përparuar, vetëm për shkak se të lënë të dorëhiqesh.

“Edhe Busho e paska bo një shkrim për përplasjen e gazetarëve të Prishtinës me pushtetin. Pasi bëhet me gazetarët dhe kundër akuzuesve pushtetarë, pasi e pranon që akuzat e pabaza të një portali anonim boshnjak janë frymëzuar nga burime të pushtetit aktual të Kosovës, pasi amniston Buzhalën dhe Mirenën nga fajësia dhe ia ngarkon pushtetit skandalin "Slobodna" ka një "POR" të madhe.

Busho gjen te dorëheqja e titullarëve të Bordit të RTK-së një "gjurmë" demokracie. Pra, situata në Kosovë është ku e ku më demokratike sesa në Shqipëri. Këtu, në regjimin e Edi Ramës, asnjë shërbëtor i pushtetit (anëtar Bordi i RTSh-së, fjala vjen Lorenc Vangjeli) nuk jep dorëheqje dhe të denoncojë pushtetin. Konkluzioni:Pushteti i Kosovës është demokratik sepse "të lejon të japësh dotëheqje".

Hahahaha, i madh është Busho.

Po çfarë lidhje ka pushteti me dorëheqjen e anëtarëve të Bordit? Ça do u bënte Rama po të dorëhiqeshin? Do i fuste në burg?

Dotëheqja ka të bëjë me dinjitetin e anëtarëve të Bordit, është çështje personale. Dikush e ka dhe vendos të refuzojë përfitimet pasi vlejnë më pak sesa përlyerja e emrit të tij, dikush tjetër nuk e bën. Këtu nuk ka lidhje meritash.

O çfarë shkrimi qesharak! Janë mirë në Kosovë thotë se atje të lënë të japësh dorëheqje”, shkruan Mulosmani.

Vetë Krasta ka zgjedhur heshtjen në kulmin e debateve dhe akuzave që janë hedhur drejt emrit dhe pozicionit të tij në krye të RTK-së. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB