TIRANË- Mbledhja e sotme e Këshillit Bashkiak të Tiranës, e drejtuar nga Anuela Ristani, solli debat të ashpër mes mazhorancës dhe opozitës për fatin e Pallatit të Kongreseve. Në fokus ishte projektvendimi për kalimin e pronës me nr. pasurie 7/74, zona kadastrale 8160, që përfshin ambientin rreth Pallatit të Kongreseve për ta kaluar nga administrimi i Bashkisë Tiranë te Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Kryetarja e komanduar në detyrë e Bashkisë, znj. Ristani, u shpreh se qëllimi është rijetësimi i zonës si një hapësirë atraktive teknologjike, dhe jo tjetërsimi apo dhurimi i pronës publike.
“Bashkia Tiranë nuk është pronare e godinës së Pallatit të Kongreseve. Ne po japim pëlqimin për kalimin e lulishtes përreth, që është në administrimin tonë, te Ministria e Ekonomisë, për të lehtësuar projektin e rijetësimit,” – u shpreh Ristani. Megjithatë, këshilltarët e opozitës ngritën shqetësime të forta, duke paralajmëruar një tjetër shembje të një objekti historik, për t’i hapur rrugë kullave të reja.
Këshilltarja Beti Njuma deklaroi se sot në Këshillin Bashkiak do të miratohej me shumicë votash një vendim që do të çojë drejt shembjes së Pallatit të Kongreseve për t’i lënë vendin një tjetër kulle, një skenar që sipas saj ndjek precedentët e Teatrit Kombëtar dhe stadiumit “Selman Stërmasi”.
“Objekt pas objekti, godina që mbajnë historinë e këtij qyteti po zhduken. Po ndërtohet një Tiranë pa kujtesë, më e lehtë për t’u komanduar. Sot radhën e shembjes e ka Pallati i Kongreseve, nesër mund të jetë godina e TVSH-së,” – shkruan Njuma në Facebook. Edhe këshilltarët e tjerë të opozitës, si Dorjan Teliti dhe Ilir Alimehmeti, u shprehën skeptikë për qëllimet e këtij vendimi, duke paralajmëruar se pas “rripave të ngushtë” të tokës, që përfliten si pa rëndësi, fshihen interesa të mëdha ndërtimi.
“Askush nuk tregon nëse aty do të ndërtohet një kullë apo jo. Gjithçka do të merret vesh kur territori t’i kalojë përfundimisht Ministrisë dhe më pas Korporatës së Investimeve,” – deklaroi Alimehmeti, duke theksuar mungesën e transparencës për projektet urbanistike në zemër të Tiranës.
Në përfundim të mbledhjes, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi me shumicë votash të këshilltarëve socialistë kalimin e kësaj prone në administrimin e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Zyrtarisht thuhet se bëhet fjalë vetëm për administrimin e një prone publike, por precedentët e mëparshëm dhe deklaratat politike e bëjnë të paqartë të ardhmen e një prej godinave më përfaqësuese të historisë urbane të Tiranës./ZËRI