TIRANË- Ish-kryeministri shqiptar gjatë Luftës së Kosovës, Pandeli Majko, e ka cilësuar si “drastik” vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin me një total prej 81 vitesh burgim të katër ish-krerëve të UÇK-së.
Në një intervistë për Top Channel, Majko e përshkroi vendimin si një “dramë të jashtëzakonshme njerëzore”, ndërsa shprehu shqetësimin e tij për ndikimin që, sipas tij, ky proces mund të ketë në perceptimin dhe interpretimin historik të Luftës së Kosovës.
“Dëshiroj të them që, megjithëse dëgjoj se UÇK-ja doli e pastër, kam një ndjenjë pesimizmi. Është disa herë që përpiqen të na deformojnë historinë. Nuk mund të thuash doli nga kjo histori e pastër UÇK-ja, që doli e papërlyer. Është fakt historik që UÇK-së ose i janë vrarë, ose i janë dënuar. Kjo është dramë dhe duhet vlerësuar thellësia e saj”, u shpreh Majko.
Sipas Majkos, vendimi theksoi edhe një herë marrëdhënien e veçantë mes Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa bëri thirrje për një qëndrim dinjitoz përballë vendimit të Gjykatës së Hagës.
“Ky vendim dramatik i Hagës na bëri të qartë se Kosova nuk ka tjetër veç Shqipërisë dhe Shqipëria nuk ka tjetër veç Kosovës. Sot kanë parë të gjithë njerëz duke qarë, fëmijë dhe ish-ushtarë të UÇK-së. Drama nga pikëpamja njerëzore është e jashtëzakonshme. Nuk ka nevojë të qajnë, por të kenë një qëndrim dinjitoz. Nuk është i fuqishëm ai që shan një vendim gjykate. Çdo inat karshi saj më duket dobësi”, tha Majko.
Megjithatë, sipas Majkos, beteja nuk ka përfunduar, pasi mbetet ende procesi i Apelit. Për ish-kryeministrin, ky proces duhet të shihet përtej fatit individual të të dënuarve.
“Tani është edhe Apeli dhe mendoj se Kosova dhe Shqipëria duhet ta vlerësojnë këtë jo si akt personal, por si akt që na ka goditur të gjithëve. Në luftë është shumë e vështirë të ndash një akt personal nga një akt kolektiv”, u shpreh ai.
Për Majkon, formimi i Gjykatës Speciale në vitin 2015 ishte një çmim që kërkoi një trimëri të caktuar, ndërsa theksoi se “nuk na zhgënjyen”.
“Mënyra se si u formua ky vendim ishte si një çmim. Mendoj se akti i krijimit të kësaj gjykate kërkoi një trimëri të caktuar dhe, në fund të fundit, askush nuk mund të akuzojë nga pikëpamja ndërkombëtare apo historia. Ky vendim u mor se subkoshienca e shqiptarit është e vetëdijshme se gjithçka është paguar ose me vrasje, ose me burgosje. Nuk na zhgënjyen”, thotë Majko.
Majko foli edhe pwr dimensionin personal tw kwsaj çwshtjeje, duke kujtuar rolin qw kishte gjatw viteve tw luftws nw Kosovw. Nw atw periudhwm, ai drejtonte qeverinw e Shqipwrisw, ndërsa Hashim Thaçi ishte një prej drejtuesve të UÇK-së dhe pjesë e delegacionit të Kosovës në Rambuje.
“Hashim Thaçi është drejtues i delegacionit të Rambujesë që e bëri për herë të parë Kosovën subjekt të të drejtave ndërkombëtare. Hashimi ishte një luftëtar, ishte një drejtues. Jam krenar që e kam pasur dhe do ta kem mik. Madje tani do ta kem mik më shumë”, u shpreh ish-kryeministri Majko.
Katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan me 81 vite burgim në total nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vite burgim, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, me 18 vite, Rexhep Selimi me 13 vite, ndërsa Jakup Krasniqi me 25 vite burgim./ZËRI