Aktualitet

765 kg kokainë! Arrestimi i Erzen Breçanit, SPAK zbardh akuzat për grupin kriminal, 4 të arrestuar, 6 në kërkim

SPAK bën me dije se nga 11 urdhër arrestet, 4 janë arrestuar dhe 6 janë të shpallur në kërkim.

k.m.
765 kg kokainë! Arrestimi i Erzen Breçanit, SPAK zbardh akuzat
Foto ilustruese

TIRANË- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nxjerrë njoftimin e plotë lidhur me aksionin e djeshëm, ku në pranga ra edhe ish-zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani. SPAK bën me dije se nga 11 urdhër arrestet, 4 janë arrestuar dhe 6 janë të shpallur në kërkim. Gjatë kontrolleve dhe aksionit të zhvilluar nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, janë gjetur dhe sekuestruar materiale shuma monetare, automjete, telefona, armë zjarri të ndryshme. Por ende nuk dihet se kujt i përkasin armët e zjarrit dhe nëse janë përdoruri në ngjarje të tjera kriminale të ndodhura më parë në Shqipëri. 

Po ashtu, SPAK bën me gjithashtu janë identifikuar autorët e dyshuar për sigurimin e kushteve për vrasjen e dy personave në Shqipëri. Por sërish nuk dihet se për kë bëhet fjalë. Gjithashtu grupi ishte i angazhuar edhe në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Gjithsej u janë sekuestruar mbi 765 kg kokainë dhe qindra kilogramë kanabis

DROGA E KAPUR: 

Sekuestrimi i sasisë prej 446 kg kokainë në Hollandë në datën 05.01.2021; Sekuestrimi i sasisë prej 69 kg kokainë në Brazil në datën 18.02.2021; Sekuestrimi i 166 kg marijuanë në Erëitte, e nisur nga Spanja për në Gjermani; Sekuestrimi i një sasie prej 250 kg lëndë narkotike kokainë, të nisur nga Brazili për në aeroportin e Frankfurt am Main, Gjermani; Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve për vrasjen e dy shtetasve në Republikën e Shqipërisë; Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale në Republikën e Shqipërisë; Po vazhdohet me dokumentimin e episodeve të tjera të trafikimit të lëndëve narkotike nga Brazili, Kolumbia, Ekuadori dhe vende të tjera të Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian.

TË ARRESTUARIT

-Erzen Breçani

-Besmir Murati

-Dedan Gjoni

-Bujar Ajetin

DETYRIM PARAQITJE

-Jonida Babameto, oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit

TË SHPALLURIT NË KËRKIM

-Ismail Zeneli

-Artan Sulejmani

-Albert Prenga

-Bajram Grabova

-Eralbi Breçani, djali i Erzen Breçanit

-Ervin Mata

Ndaj tyre janë ngritur akuzat: “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

NJOFTIMI I SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar në datën 28.04.2023 procedimin penal nr.78 të vitit 2023, për veprat penale të “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 80, 278, 283,  283/a, 287, 333/a dhe 334 të Kodit Penal. 

Në kuadër të këtij procedimi penal, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim intensiv me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese hollandeze, belge, gjermane, braziliane, kolumbiane dhe franceze, ka zhvilluar hetime lidhur me disa shtetas shqiptarë të përfshirë në aktivitete kriminale në Shqipëri, në Amerikën e Jugut si dhe në disa vende të tjera në Evropë. Po ashtu është hetuar dhe lidhur me disa ngjarje kriminale të mëparshme të ndodhura në Shqipëri. 

Gjatë hetimeve intensive të kryera nga hetuesit e BKH-së, nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm, është bërë e mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale dhe të kryerjes së veprave penale, që janë kryer në bashkëpunim, në formë e grupit të strukturuar kriminal, si më poshtë:

Sekuestrimi i sasisë prej 446 kg kokainë në Hollandë në datën 05.01.2021; Sekuestrimi i sasisë prej 69 kg kokainë në Brazil në datën 18.02.2021; Sekuestrimi i 166 kg marijuanë në Erëitte, e nisur nga Spanja për në Gjermani; Sekuestrimi i një sasie prej 250 kg lëndë narkotike kokainë, të nisur nga Brazili për në aeroportin e Frankfurt am Main, Gjermani; Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve për vrasjen e dy shtetasve në Republikën e Shqipërisë; Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale në Republikën e Shqipërisë; Po vazhdohet me dokumentimin e episodeve të tjera të trafikimit të lëndëve narkotike nga Brazili, Kolumbia, Ekuadori dhe vende të tjera të Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian. Gjithashtu janë dokumentuar pasuri, të cilat janë produkt i kësaj veprimtarie kriminale, për të cilat është kërkuar sekuestrimi i tyre. Janë dokumentuar gjithashtu vepra penale të kryera nga zyrtarë publikë, punonjës të policisë së shtetit në nivel të lartë, të cilat cënonin funksionimin e rregullt të shtetit ligjor dhe sundimin e ligjit.

Është dokumentuar përfshirja e punonjësve të policisë në grupe kriminale.

Bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.124, datë 17.11.2023 ka vendosur caktimin e masave të sigurisë personale “arrest në burg” për 10 shtetas të dyshuar si autorë të kryerjes së veprave penale, konkretisht për shtetasit I.Z, B.A, D.Gj, E.B, B.M, A.S, A.P, B.G, E.B, E.M dhe masën e sigurimit personal për shtetasen J.B.

Më datën 20.11.2023 Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, kanë ekzekutuar urdhrat për ekzekutimin e vendimit penal nr.124, datë 17.11.2023, për 4 shtetas, konkretisht për shtetasit E.B., B.M., D.Gj. dhe B.A.

Gjatë ekzekutimit të vendimeve të gjykatës është ushtruar kontroll në banesa dhe ambiente të tjera, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma monetare, automjete, telefona, armë zjarri të ndryshme.

Falenderojmë Policinë e Shtetit për profesionalizimin e treguar dhe bashkëpunimin e ngushtë, gjatë fazës së ekzekutimit të vendimeve të gjykatës. Falenderim të veçantë për Eurojust, Europol, Autoritetet Gjyqësore Franceze dhe agjencitë  ligjzbatuese hollandeze, belge, franceze e gjermane për bashkëpunimin intensiv dhe kontributin e dhënë në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal.

Shënim: Cilido prezumohet i pafajshëm derisa fajësia të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Poll

MOS HUMB