Aktualitet

347 kg drogë me fotot e Trump, Putin dhe Netanyahu, arrestohen dy shqiptarë dhe një grek në Athinë

Autoritetet greke kanë sekuestruar mbi 347 kilogramë lëndë narkotike gjatë një operacioni të zhvilluar më 7 tetor në disa zona të Athinës ku në pranga kanë rënë tre persona, mes tyre dy shtetas shqiptarë, të moshave 44 dhe 23 vjeç, si dhe një grek 29-vjeçar.

M.K.
347 kg drogë me fotot e Trump, Putin dhe Netanyahu, arrestohen dy
foto

GREQI- Dy shqiptarë dhe një shtetas grek janë arrestuar në kuadër të një operacioni antidrogë në Athinë. Policia sekuestroi sasi të mëdha kokaine, kanabisi dhe hashashi, ndërsa në paketimet e lëndëve narkotike ishin vendosur imazhet e disa figurave të njohura botërore.

Autoritetet greke kanë sekuestruar mbi 347 kilogramë lëndë narkotike gjatë një operacioni të zhvilluar më 7 tetor në disa zona të Athinës ku në pranga kanë rënë tre persona, mes tyre dy shtetas shqiptarë, të moshave 44 dhe 23 vjeç, si dhe një grek 29-vjeçar.

Vëmendjen e hetuesve e kanë tërhequr edhe paketimet e drogës, të cilat mbanin fotografitë e presidentit amerikan Donald Trump, presidentit rus Vladimir Putin, kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe trafikantit të njohur kolumbian Pablo Escobar.

Sipas të dhënave të policisë greke, operacioni nisi me ndalimin e 44-vjeçarit shqiptar, të cilit iu gjetën 3 kilogramë e 215 gramë kokainë, që dyshohet se ishte destinuar për shitje. Në vijim, efektivët arrestuan edhe shtetasin grek, në automjetin e të cilit u zbuluan 10 kilogramë e 800 gramë kanabis i llojit “Skunk” dhe 3 kilogramë e 900 gramë hashash “çokollatë”.

Nga hetimet paraprake, policia dyshon se lëndët narkotike të gjetura në automjet ishin siguruar nga 23-vjeçari shqiptar, i cili dyshohet se vepronte edhe për llogari të një personi tjetër.

Kontrollet vijuan në një apartament në zonën e Artemidës, pranë Athinës, ku qëndronte 23-vjeçari. Banesa, sipas hetimeve, ishte marrë me qira nga një person ende i paidentifikuar për periudhën 6–13 tetor 2026.

Brenda apartamentit, autoritetet zbuluan sasi të konsiderueshme droge, konkretisht 32 kilogramë e 65 gramë kokainë, 245 kilogramë e 700 gramë kanabis të llojit “Skunk” dhe 51 kilogramë e 600 gramë hashash “çokollatë”.

Gjatë ndërhyrjes, 23-vjeçari shqiptar dyshohet se ka kundërshtuar punonjësit e policisë, duke i shtyrë ata në përpjekje për të penguar kontrollin e banesës.

Kontrolle të tjera u ushtruan edhe në banesat e dy të arrestuarve të tjerë, ku u gjetën sasi shtesë lëndësh narkotike.

Ndërkohë, sipas autoriteteve greke, 44-vjeçari shqiptar ka precedentë të mëparshëm penalë. Ai është akuzuar në të kaluarën për vrasje, grabitje, vjedhje, falsifikim, si dhe për shkelje të legjislacionit për armët dhe lëndët narkotike.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar origjinën e lëndëve narkotike, destinacionin e tyre dhe identitetin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet të dyshuar kriminal./ZËRI

Poll

MOS HUMB