MALLAKASTËR- Vatra e zjarrit në Riban të Mallakastrës ka marrë përmasa të mëdha, duke rrezikuar banesat, ndërsa deri tani janë evakuuar 15 familje. Zjarri, i cili ka nisur që prej mëngjesit të sotëm, vijon të jetë aktiv, ndërsa era e fortë dhe temperaturat e larta favorizojnë përhapjen e flakëve.
Ndërkohë, Policia e Fierit po heton dyshimet se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht. Për këtë arsye, disa persona janë shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje.
Zv.drejtori për Sigurinë Publike në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, Taulant Gjoka, deklaroi për mediat janë angazhuar të gjitha strukturat në operacionin për shuarjen e zjarrit dhe mbrojtjen e banorëve të rrezikuar.
View this post on Instagram
"Ky është një operacion kompleks. Jemi të angazhuar të gjithë për të siguruar një perimetër sigurie dhe ndihmuar banorët e rrezikuar. Kemi shoqëruar disa persona në komisariat me të cilët po kryhen veprimet hetimore për të grumbulluar të dhënat me interes për hetimin dhe sqaruar statusin e tyre lidhur me dyshimet e arsyeshme që mund të ketë për një zjarrvënie të qëllimshme. U bëj apel qytetarëve të Fierit të tregojnë kujdes me mjedisin, zjarret dhe bashkëpunimin me forcat e Policisë", tha Gjoka./ZËRI