SARANDË- Dy turistë gjermanë, të cilët humbën orientimin gjatë eksplorimit të malit të Çikës dhe dërguan sinjalin SOS për ndihmë, janë shpëtuar pas një operacioni kërkim-shpëtimi që zgjati disa orë. Në aksion u angazhuan grupet e shpëtimit të Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe strukturat e Policisë. Për shkak të terrenit të vështirë dhe pamundësisë së turistëve për të gjetur rrugën e kthimit, në ndihmë të ekipeve tokësore u përfshi edhe një helikopter. Mjeti ajror bëri të mundur lokalizimin dhe nxjerrjen e turistëve në një zonë të sigurt.
Pas shpëtimit, dy turistëve iu dha ndihma e parë, pasi kishin shfaqur shenja të dehidratimit për shkak të qëndrimit të gjatë në terren. Aktualisht ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe janë shoqëruar nga ekipet e shpëtimit./ZËRI