GJIROKASTËR-Një zjarr ka përfshirë fasadën e godinës së Postës Shqiptare në Gjirokastër, duke alarmuar banorët për përhapjen e flakëve në objektin ku ndodhen edhe shtëpi.
Sipas informacioneve paraprake, shkëndija ka rënë në një tabelë reklamuese, ndërsa në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat e shërbimit zjarrfikës për të vënë situatën nën kontroll. Për arsye sigurie, është stakuar energjia elektrike në të gjithë qytetin deri në stabilizimin e situatës dhe eliminimin e rrezikut.
Njoftimi:
Në orën 09:45, nga Salla Operative e Policisë së Shtetit se në Pazarin e Gjirokastrës, pranë Postës Shqiptare, te tabelat e reklamave, kishte rënë zjarr në fasadën e godinës së postës. Si pasojë e zjarrit, rrezikoheshin godina e Postës Shqiptare dhe banesat që ndodhen në të njëjtin objekt.
Menjëherë u nis grupi i shërbimit drejt vendngjarjes, ku ndërhyri në kohë, duke izoluar dhe shuar plotësisht flakët.
Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë, zjarri u vu nën kontroll dhe u eliminua pa shkaktuar dëme të tjera materiale apo pasoja.