
TIRANË- Mehmet Kadrija, një ish-punonjës i Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH) ndërroi jetë në verën e vitit 2023, në moshën 59-vjeçare. Kadrija, para se të ndërronte jetë, kishte nisur hetimet për grupin i drejtuar nga grupi Micro Credit Albania (MCA), kompani e cila tashmë është sekuestruar nga Prokuroria e Tiranës. Gjatë kohës që po hetonte, Kadrija në dy raste kishte ngritur akuza të rënda me denoncimet që i kishte dërguar në institucionet më të larta të shtetit. Përfshirë këtu, Kryeministrinë dhe Ministrinë e Drejtësisë.
Në denoncime shkruhet historia e mikrokredive e futur brenda rrethimit sekret të SHISH. Por teksa kryente detyrën, i ndjeri përndiqej nga MCA.
"E dinte gjithë SHISH se ata e kishin përndjekur deri në punë…Mehmeti akuzoi para vdekjes praktikat shfrytëzuese të rrjetit të mikrokredive duke denoncuar mënyrën sesi ato vepronin në mënyrë abuzive. Si bllokonin të ardhurat duke shkatërruar jetën personale dhe deri atë profesionale. Por pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të kërkuar ndihmë nga institucionet, zëri i tij u injorua në mënyrë sistematike,"-shkruhet në artikullin e publikuar nga "Newsbomb".
Por, dhjetëra dokumente që Mehmeti i ruante me fanatizëm janë gjetur nga familjarë pas vdekjes së tij. Megjithatë tashmë janë bërë publike.
"Ata janë të bindur se ai kishte arritur të grumbullonte të dhëna të ndjeshme mbi personat që qëndronin pas kësaj skeme shfrytëzuese, duke e vënë veten në shënjestër të atyre që përfitonin nga këto veprime të errëta,"-shkruhet ndër të tjera në artikull.
Mehmet Kadrija ndërroi jetë në verën e vitit 2023, në rrethana ende të paqarta.
Por në çfarë përfundimi doli Prokuroria e Tiranës për skandalin dhe kompanitë MCA dhe Final?
"Skemë mashtruese me mendim unik kriminal", ky ka qenë përfundimi i hetimeve lidhur me dy prej kompanive që zhvatën qytetarët me kreditë e këqija që u jepnin. Si rrjedhojë, me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, Micro Credit Albania dhe Final, të dyja janë vendosur nën sekuestro. MCA ka mbi vete vetëm veprën penale të "mashtrimit me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim”; por “Final" përveç të akuzës që ndan me MCA, akuzohet edhe për "pastrim të produkteve të veprës penale". Megjithatë, deri më tani, nga Prokuroria e Tiranës nuk jepen sqarime se paratë e kujt janë "pastruar" përmes kësaj kompanie që tashmë është nën sekuestro.
Nga hetimet, Prokuroria ka dalë në përfundimin se MCA dhe Final, duke bashkëpunuar me shoqërinë "ADCA" dhe me disa shoqëri të tjera përmbarimore kanë krijuar një skemë mashtruese për të zhvatur qytetarët. Duke qenë se nuk e përllogarisin dot mashtrimin ndaj qytetarëve, Prokuroria thotë vetëm se qytetarëve u janë vjedhur dhe zhvatur "10-tra milion euro", por një shifër konkrete nuk e kanë. Të gjitha këto prona dhe para që u janë marrë qytetarëve, këto kompani i kanë investuar ose i kanë përdorur për aktivitete të tjera.
Por si janë zhvatur qytetarët?
Prokuroria ka dalë në përfundimin se punonjës të këtyre kompanive, në bashkëpunim me përmbaruesit: kanë përdorur të dhënat personale të siguruara në mënyrë të paligjshme të individëve/debitorëve pa asnjë mundësi për përballimin e jetesës së përditshme (numrat e telefonit, të vetat apo të familjarëve dhe të dhëna të gjendjes civile, punësimi etj): përdorur presionin psikologjik dhe përndjekjen e debitorëve dhe familjarëve të tyre nëpërmjet telefona të vazhdueshme( dhe jo vetëm) me qëllim nënshkrimin e marrëveshjeve të reja të kredive; përdorur gënjeshtrën që konsostente në përllogaritjen e një detyrimi të fryrë dhe pa asnjë bazë ligjore; sekuestrimin e llogarive bankare në kundërshtim me ligjin dhe tej minimumit jetik, madje dhe pa ndonjë afat kohor; Kryer sekuestrimin e pronave të paluajtshme në mënyrë jo proporcionale me detyrimin e mbetur; dhe Kanë “shitur/kaluar” në pronësi të MCA, pasuritë e paluajtshme të debitorëve apo shtetasve të tjerë në ankande fiktive me vlera shumëfish më të ulëta se sa vlera reale e këtyre pronave, prona të cilat janë vlerësuar në mënyrë fiktive.
Mashtrimin, presionin e të gjitha mjetet e lartpërmendura nga Prokuroria janë përdorur nga këta mashtrues për të detyruar debitorët që të merrnin kredi të reja në këto institucione me principial të fryrë dhe me interesa shumë të larta. Për t'i bindur, qytetarët i gënjenin se vetëm në këtë mënyrë do të shlyenin kredinë ekzistuese. Ndryshe nga sa ndodh gjithmonë për raste të ngjashme, kësaj here Prokuroria e Tiranës shifrën totale të zhvatjes nuk e përllogariste dot për shkak se është ose në para, ose në prona, ose të dyja bashkë janë të riinvestuara.
Ndaj përllogarit një dëm që sipas organit hetues arrin në 10-tra milion euro.
Në lidhje me mashtrimin me mikrokreditë, janë lënë në masën e sigurisë "arrest shtëpie": Elda Ibro, Jorsida Dervishi, Alketa Tanushi e Kejda Seferi, ndërsa në burg janë: Arben Meskuti, Aldo Daka, Albert Gega dhe Edmond Mato. Së fundmi u arrestua edhe Alban Kote.
Si u zbulua skandali?
Prej disa muajsh tashmë, ZËRI denoncon dhe grumbullon dëshmi të viktimave që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në këto zyra. Këto institucioneve përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera. Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales. Pa asnjë filtër, këto institucione iu japin qytetarëve kredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCA. Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e "Pandorës" pritet të hapet. Kush i lejoi, për kë punuan këta agjentë? SPAK duhet t’i japë një përgjigje!/ZËRI