
TIRANË- Kryetarja e Avokatit të Popullit Erinda Ballanca deklaroi në Komisionin e Çështjeve Ligjore se buxheti për vitin 2025 parashikon 196.9 milionë lekë, por tha se ka nevojë për më shumë fonde, ku bëri kërkesë për rritjen e stafit. Ajo tha se ka kërkuar rritjen e stafit pasi do të kenë detyra shtesë për shkak të marrëveshjes së emigrantëve me Italinë. Ballanca tha se gjyqtarët kanë mbingarkesë çështjesh pas reformës në drejtësi dhe kanë nevojë për 2 persona të tjerë si pjesë të stafit. Kryetarja u shpreh se reforma në drejtësi ka krijuar shumë probleme në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
Erinda Ballanca: Avokati i Popullit e ka shtuar aktivizimin, numrin e ankesave dhe rekomandimeve. Në vitin e ardhshëm do të jemi në procesin e riakreditimit, që bëhet çdo 4 vite nga organizatat e OKB. Në 2025-ën do të jetë akreditimi i radhës dhe dy nga detyrat kryesore që janë lënë ka qenë rritja e kapaciteteve dhe buxhetit, dhe më e rëndësishmja për të marrë ankesa edhe nga sektori privat, detyrë që është lënë nga komiteti i akreditimit. Do të sjellim gjatë ditëve në vijim një draft me amendamente për ligjin për avokatin e popullit, pasi përndryshe nuk do të marrim dot akreditimin si institucion me statusin A, niveli më i lartë i garantimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Kemi nevojë për 2 persona shtesë në staf. Kemi kërkuar të shtojmë kapacitetet e mekanizmit kombëtar për parandalimin e torturës edhe me detyrat shtesë që kemi për mbrojtjen e emigrantëve dhe detyrave që do të kemi për mbrojtjen e shtuar që duhet të kemi për marrëveshjen Shqipëri Itali. Do të na duhej edhe një komisioner tjetër, nga 4, në 5. Në total nevojiten 3 personel shtesë. Në total kërkojmë 7.6 mln lekë për pagat 1.3 mln lekë për sigurimet shoqërore. Në lidhje me investimet, ka të bëjë me sigurinë kibernetike. Nga AKSK ka pasur një vlerësim orientues për 18 mln lekë, i ndarë në infrastrukturë, standarde dhe trajnime. Ka numër të vogël gjyqtarësh për 100 mijë banorë dhe ne jemi shumë larg standardeve europiane. Ka mbingarkesë çështjesh, që erdhi menjëherë pas reformës në drejtësi. Gjyqtarët kanë mbingarkesë dosjesh, për shkak të reformës. Reforma në drejtësi ka krijuar problematikë në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve. /ZËRI