Aktualitet

GJKKO pushon çështjen ndaj deputetit të PS, Agron Çela

GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK pasi prokurorët kërkuan pushimin e procedimit penal.

k.m.
GJKKO pushon çështjen ndaj deputetit të PS, Agron Çela
Agron Çela

TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pushuar çështjen ndaj deputetit të Partisë Socialiste, Agron Çela. GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK pasi prokurorët kërkuan pushimin e procedimit penal. Kjo pasi Çela ishte kallëzuar për mashtrim nga një shtetas, i cili pretendonte se deputeti s’i kthente paratë e marra borxh. Por sipas SPAK, pas veprimeve hetimore të kryera për llogari të një kallëzimi të depozituar nga një qytetar ndaj deputetit, ka rezultuar se nuk ekzistojnë elementë të veprës penale. Pra, borxhi është kthyer. Megjithatë, detaje nga çështja nuk janë zbuluar për mediat. 

Deputeti u paraqit në SPAK në nëntor të vitit të shkuar. Pasi doli, i pyetur nga gazetarët se Çela tha se: Erdha për punët e mia! Për Ilir Metën s’më ka pyetur askush asgjë. Nuk di gjë për dosjen CEZ-DIA. Me Ilir Metën kam marrëdhënie shumë të mira.


Njoftimi i GJKKO:

1. Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 15.10.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Kërkesë për pushimin e procedimit penal nr. 22 të vitit 2024”. 2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112, 328/1 gërma “b”, 329/a dhe 329/b pika 3 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 123, datë 13.11.2024, vendosi: 1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

2. Pushimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 22 i vitit 2024 i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar regjistruar për veprën penale “Mashtrimi” e parashikuar nga neni 143/1 i Kodit Penal, pasi në zbatim të nenit 328/1 pika 1, gërma “b”, të K.Pr.Penale, nga hetimet e kryera fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale. 3. Shpenzimet proceduriale hetimore të parapaguara nga shteti lihen siç janë bërë.

4. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brënda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit. Tiranë, më datë 13.11.2024

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar/ZËRI

Poll

MOS HUMB