
TIRANË- Seanca gjyqësore për Dan Hutrën, autori i vrasjes së tre grave, është shtyrë. Mësohet se një nga anëtarët e trupit gjykues është sëmurë dhe ka munguar. Po ashtu edhe Hutra ka refuzuar avokatin e caktuar nga gjykata, pasi pretendon se ai e ka një avokat.
Ndërkohë Dan Hutra nga salla e gjyqit ka kërcënuar gazetarët, duke u thënë se do t’i vij edhe atyre momenti. Gjithashtu, Hutra ka mohuar të ketë dëshmuar në Prokurorinë e Posaçme, edhe pse në maj të këtij viti u raportua se ai u mor si i pandehur nga SPAK.
“Të përdorësh mikrofonin është gjë e lehtë, të zbërthesh të vërtetën është gjë e rëndë. Nuk mund ta them nga xhami të vërtetën, do kemi kohë dhe do të flasim. Nuk keni me çfarë te merreni tani? Do merreni me mua. Do të vijë momenti dhe do t’i them. Lëreni drejtësinë të bëjë punën e vet. Mos u merrni me mua. Nuk kam dëshmuar në SPAK as kam përse të dëshmoj. Do të zbërthehen të gjitha. Do vijë dhe momenti juaj”, tha Hutra.
Më 1 Mars të 2023 Dan Hutra plagosi fillimisht 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi në zonën e Astirit, pasi ajo nuk pranoi t’i jepte një shumë parash që ai i kërkoi. Më pas, me makinën që kishte marrë me qira, shkoi në Paskuqan, aty ku jetonte familja e ish-partneres së tij Elena Hysa. Hapi zjarr duke vrarë motrën dhe kunatën e saj, Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku, e cila ishte shtatzënë, si dhe plagosi vetë Elenën dhe nënën e saj, Kujtime. Më pas shkoi në Kamëz, në shtëpinë e Etleva Kurtit, duke e qëlluar edhe këtë të fundit për vdekje. Gjithashtu të plagosur mbetën Kujtime Hysa, nëna ish-bashkëshortes së tij si edhe Alketa Hysa.
Arratia e Dan Hutrës mori fund pas 7 orësh kërkime. Ai u arrestua nga policia në zonën e Sharrës. Atje kishte shkuar për të ekzekutuar një person të katërt, Rrahman Selën tentativë që fatmirësisht dështoi. Madje kishte përgatitur edhe skenarin makabër për veten e tij. Kishte hapur një varr, atje ku do të fshihej për t’i shpëtuar Policisë. /ZËRI