
TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka konfirmuar zyrtarisht lajmin që ka qarkulluar prej disa javësh, se nuk do të marrin pjesë në komisionin “Xhafaj”. Në një qëndrim të bërë publik, pas interesimit të mediave, SPAK njofton se në mënyrë unanime prokurorët kanë vendosur që të mos jenë pjesë e këtij komisioni, që synon sipas mazhorancës, të ketë një bashkëpunim më të mirë mes Kuvendit, organeve të pavarura dhe atyre të drejtësisë, me qëllim luftën ndaj korrupsionit. Prokuroria e Posaçme nga ana tjetër shprehet e gatshme që të ofrojë mendim përmes ekspertëve ligjorë sa herë që do të konsiderohet e nevojshme nga Komisioni.
Gjatë ditës së djeshme, edhe Gjykata Kushtetuese u shpreh se nuk do të marrë pjesë në komision, pasi sipas tyre nismat ligjore që mund të ndërmerren, bien ndesh me shqyrtimin që mund të kenë prej tyre në të ardhshmen.
NJOFTIMI I SPAK
Në përgjigje të interesimit tuaj, ju bëjmë me dije se kërkesa e Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit, dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” (Komisioni), u analizua me shumë kujdes nga ana jonë duke u trajtuar në Mbledhjen e Prokurorëve të Posaçëm të datës 03.09.2024.
Gjatë kësaj mbledhjeje, Prokurorët e Posaçëm diskutuan rëndësinë e bashkëpunimit me Kuvendin për përmirësimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjithmonë duke respektuar parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
Në mënyrë unanime të gjithë Prokurorët e Posaçëm nuk e konsideruan të nevojshme pjesëmarrjen me ekspert në këtë Komision, pasi vlerësuan se tashmë institucioni ynë i ka përmbushur detyrimet ligjore për bërjen publike të problematikave të hasura gjatë ushtrimit të funksioneve të tij duke përfshirë këtu dhe nevojat për ndryshime ligjore përkatëse.
Ky detyrim ligjor është realizuar përmes publikimit të Raporteve Vjetore të SPAK në faqen zyrtare, si dhe raportimeve periodike përballë KLP-së dhe Kuvendit. Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme, cilësoi se është e gatshme për të ofruar kontributin e saj përmes dhënies së mendimeve ligjore sa herë që do të konsiderohet e nevojshme nga ky Komision.
Komisioni anti-korrupsion u ngrit nga mazhoranca socialiste me një përbërje prej 11 anëtarësh, ku 5 vende i takojnë opozitës, e cila nuk ka marrë pjesë në asnjë mbledhje.
Kreu i Komisionit, Fatmir Xhafaj, i drejtoi kërkesa për bashkëpunim institucioneve publike të cilat ushtrojnë funksione në fusha me risk për korrupsion sipas vlerësimeve që bëhen në raportet e KE-së, thuajse të gjitha institucioneve për të përcaktuar përfaqësuesit e tyre që do të veprojnë pranë nëngrupeve të komisionit dhe grupit të ekspertëve që merret me çështjet e korrupsionit.
Më herët edhe Prokuroria e Përgjithshme refuzoi që të dërgonte përfaqësuesit e saj në këtë komision, që ka prani edhe të misioneve të huaja diplomatike në vendin tonë. /ZËRI