
TIRANË- Kryeministria ka dalë në një njoftim zyrtar në lidhje me operacionin që kreu i pari i qeverisë në ambientet e QSUT.
Sipas zyrës së shtypit, kryeministri Edi Rama do e kalojë sot natën në ambientet e QSUT, ndërkohë që ekipi i mjekëve që kryen operacionin ndaj tij kryesohej nga Arben Gjata. Vetë Rama e kishte paralajmëruar kryerjen e kësaj ndërhyrje në një prej vizitave të tij në ambientet e QSUT.
“Kryeministri Rama aktualisht po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale laparoskopike në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza. Ekipi mjekësor nën drejtimin e Prof. Dr. Arben Gjata po kryen ndërhyrjen kirurgjikale të hernies inguinale. Pas përfundimit të ndërhyrjes, Kryeministri Rama pritet të kalojë natën e sotme në mjediset spitalore të QSUNT”, tha zyra e Kryeministrit.
Rama e paralajmëroi ndërhyrjen në fund të gushtit, teksa ishte për një inspektim në spital.
“Mund të vij prapë për një tjetër ndërhyrje. Kam një hernie inguinale, që i kam mësuar edhe emrin, se kësaj diskales nuk i kërkoj mjek sepse punoj me forcat e mia, me stretch, me vetëpërmbajte përpara ushqimit që të mos rëndoj shumë mbi kolonën e lodhur nga basketbolli, po kësaj inguinales mesa duket nuk i bëj dot derman me forcat e mia, kështu që do vij prapë me shumë kënaqësi”, deklaroi Rama.
Kjo është hera e dytë brenda 18 muajsh që Rama shtrohet në spital, pasi në prill të vitit të kaluar bëri një ndërhyrje për heqjen e apandesitit. /ZËRI