
TIRANË- Kryeministri Edi Rama i është nënshtruar sot një ndërhyrje kirurgjikale në ambientet e QSUT-së.
Rama i është nënshtruar operacionit për hernien inguinale, ose e thënë ndryshe heqjen e ‘dhjamthit’, siç njihet në gjuhën popullore. Operacioni është kryer nga prof. Dr. Arben Gjata, ndërkohë që gjendja e Ramës paraqitet e mirë pas ndërhyrjes.
Sipas një denoncimi të bërë në JOQ, deri në orën 10:00 kur ka përfunduar ndërhyrja kirurgjikale e Ramës, nuk është kryer asnjë operacion tjetër, edhe për shkak të masave të sigurisë që janë marrë në pavion.
Sipas zyrës së shtypit, kryeministri Edi Rama do e kalojë sot natën në ambientet e QSUT.
“Kryeministri Rama aktualisht po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale laparoskopike në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza. Ekipi mjekësor nën drejtimin e Prof. Dr. Arben Gjata po kryen ndërhyrjen kirurgjikale të hernies inguinale. Pas përfundimit të ndërhyrjes, Kryeministri Rama pritet të kalojë natën e sotme në mjediset spitalore të QSUNT”, tha zyra e Kryeministrit.
Rama e paralajmëroi ndërhyrjen në fund të gushtit, teksa ishte për një inspektim në spital.
“Mund të vij prapë për një tjetër ndërhyrje. Kam një hernie inguinale, që i kam mësuar edhe emrin, se kësaj diskales nuk i kërkoj mjek sepse punoj me forcat e mia, me stretch, me vetëpërmbajte përpara ushqimit që të mos rëndoj shumë mbi kolonën e lodhur nga basketbolli, po kësaj inguinales mesa duket nuk i bëj dot derman me forcat e mia, kështu që do vij prapë me shumë kënaqësi”, deklaroi Rama.
Kjo është hera e dytë brenda 18 muajsh që Rama shtrohet në spital, pasi në prill të vitit të kaluar bëri një ndërhyrje për heqjen e apandesitit.
Ky është operacioni i dytë që Rama kryen në QSUT, pas ndërhyrjes në vitin 2013, për heqjen e apandesitit. /ZËRI