Aktualitet

21 Janari, Artan Hoxha paraqitet në SPAK, ja për çfarë do të pyetet

Gazetari pritet të dorëzojë diktofonin/kasetën ku dëgjohen urdhrat e zinxhirit komandues të Gardës

E.K
21 Janari, Artan Hoxha paraqitet në SPAK, ja për çfarë do
artan hoxha ne spak

TIRANË- Gazetari i kronikës, Artan Hoxha është thirrur sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndërsa do të pyetjet në lidhje me dosjen e 21 Janarit.

Hoxha ka publikuar më herët një material audio, ku punonjësit e Gardës komunikojnë mes tyre, përpara se të qëllohej mbi 4 protestuesit që humbën jetën, gjatë protestës së socialistëve, asokohe në opozitë. Gazetari pritet gjithashtu të dorëzojë diktofonin/kasetën ku dëgjohen urdhrat e zinxhirit komandues të Gardës.

SPAK ka nisur hetimet për vrasjen e Aleks Nikës, si dhe plagosjen e shtetasve Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa në protestën e 11 Janarit të vitit 2011, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Procedimi penal është regjistruar për veprat penale: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave; “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.

Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK. Alfred Shehu është prokurori i SPAK, i cili do të hetojë çështjen e 21 janarit. Në mesin e personave që akuzohen nga familja si përgjegjës për vrasjen e Aleks Nikës, janë edhe drejtuesit më të lartë të shtetit, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha. Ky i fundit në një reagim pas regjistrimit të çështjes në Prokurorinë e Posaçme, dha një koment për mediat, duke thënë se nuk ka urdhëruar pushkatimin e asnjë protestuesi. Por deri më tani, kryedemokrati Sali Berisha, i cili do ta ketë çështjen e dytë në SPAK, nuk ka bërë asnjë koment./ZËRI

Poll

MOS HUMB