Aktualitet

Gjykata Kushtetuese refuzon komisionin “Xhafaj”, i bashkohet SPAK-ut dhe Prokurorisë së Përgjithshme

Përmes një letre që i ka dërguar Kuvendit, kryetarja e Kushtetueses, Holta Zaçaj refuzon pjesëmarrjen në komisionin “Xhafaj”

E.K
Gjykata Kushtetuese refuzon komisionin “Xhafaj”, i bashkohet SPAK-ut
Holta zacaj

TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka refuzuar kërkesën për të marrë pjesë në Komisionin “Xhafaj”. Ka qenë kryetarja e Gjykatës, Holta Zaçaj, ajo që ka bërë me dije vendimin, ndërsa më herët të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe Prokuroria e Posaçme, dhe ajo e Përgjithshme.

Gjykata thekson se nuk mund të marrë pjesë në proceset ligjbërëse, pasi kjo mund të sjellë në të ardhmen konflikt në ushtrim të funksionit të saj në kontrollin e pajtueshmërisë së ligjeve me Kushtetutën.

“Të nderuar më përgjigje të shkresës Tuaj nr. 3016, datë 31.07.2024, me anë të së cilës kërkohet caktimi i përfaqësues/ekspert dhe profesionist nga Gjykata Kushtetuese në Komisionin e Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, duke ju përgëzuar për nismën, ju bëjmë me dije se Gjykata Kushtetuese, për shkak të funksionit të saj, nuk mund të marrë pjesë në aktivitete që lidhen me procese ligjbërëse, pasi kjo mund të sjellë në të ardhmen konflikt në ushtrim të funksionit të saj në kontrollin e pajtueshmërisë së ligjeve me Kushtetutën, përveç rastit të ndryshimeve në Kushtetutë dhe ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, shkruhet në përgjigjen e Kushtetueses.

Komisioni anti-korrupsion u ngrit nga mazhoranca socialiste me një përbërje prej 11 anëtarësh, ku 5 vende i takojnë opozitës, e cila nuk ka marrë pjesë në asnjë mbledhje.

Kreu i Komisionit, Fatmir Xhafaj, i drejtoi kërkesa për bashkëpunim institucioneve publike të cilat ushtrojnë funksione në fusha me risk për korrupsion sipas vlerësimeve që bëhen në raportet e KE-së, thuajse të gjitha institucioneve për të përcaktuar përfaqësuesit e tyre që do të veprojnë pranë nëngrupeve të komisionit dhe grupit të ekspertëve që merret me çështjet e korrupsionit.

Më herët edhe SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme refuzuan që të dërgojnë përfaqësuesit e tyre në këtë komision, që ka prani edhe të misioneve të huaja diplomatike në vendin tonë. /ZËRI

Poll

MOS HUMB