Aktualitet

Vrasja e Ramazan Mataj/ Ngujohet familja e autorëve, pajtuesit e gjaqeve shkojnë për takim

Dedë Shullani, kreu i Shoqatës së Misionarëve të Paqes dhe Pajtimit të Shqipërisë takoi familjen e autorëve të ngjarjes së rëndë.

I.F
Vrasja e Ramazan Mataj/ Ngujohet familja e autorëve, pajtuesit e gjaqeve
Ramazan Mataj

SHKODËR- Familja e Arjon dhe Klisman Hasaj është ngujuar. Edhe pse dy vëllezërit që akuzohen për vrasjen e 33-vjeçarit Ramazan Mataj janë vendosur në pranga, familjarët e tyre i druhen një hakmarrje. Ata janë ngujuar në Postribë, ku sot për herë të parë ka shkuar Dedë Shullani, kreu i Shoqatës së Misionarëve të Paqes dhe Pajtimit të Shqipërisë.

Sipas asaj që është bërë me dije, kryefamiljari Rustem Hasaj ka shprehur pendesë për ngjarjen ku janë përfshirë dy djemtë të tij. Por po ashtu, bëri apel për ndihmë pasi janë në kushte të vështira ekonomike. Prej ditësh 7 familjarë pa asnjë ndihmë dhe në ngujim nga frika e gjakmarrjes. 

“Jemi 7 anëtarë në familje pa bukë, pa shtëpi! Shteti të na ndihmojë. S’kam pas asnjë dijeni për konfliktin as mosmarrëveshje. Jam babai i dy djemve të arrestuar. Kjo fatkeqësi na ka ndodh të dy palëve. Unë kam kërku ndjesë familjes së viktimës dhe gjithë fshatit. Kam nevojë për ndihmën e shtetit dhe të individit se jena në kushte të vështira. Jemi 7 vetë në familje, përfshirë 4 fëmijët e djalit që është në burg. Jemi për mbijetesë. S’kemi asnjë të ardhur. S’kam as pension as asistencë, asgjë. Unë jam në ngujim jam në gjendje të mjerueme nga ana e ekonomisë. I lutem drejtësisë, popullit, kujtdo të na ndihmojë, mos i raftë kujt kjo punë. Unë përpara kam punuar me makinë, taksi pa licensë, çoja bashkëfshatarët në destinacionet e tyre. Edhe djemtë kanë punu sa për të jetuar, por ata ranë në burg. Tani jena pa asnjë të ardhur me 7 vetë në familje", tha Hasaj.

Ndërkohë, Shullani tha se ka marrë rolin e ndërmjetësit dhe do të punojë që dy familjet të rinisin komunikimin dhe të shmanget përshkallëzimi i konfliktit.

“Kjo është fatkeqësi, nuk e do kurrkush që t’i ndodhë ky problem. Ne si shoqatë pas një jave dolëm dhe komunikuam me familjen që i ka ndodhur problemi dhe fatkeqësia me qëllim që mes dy familjeve me kalimin e kohës dhe me qetësimin e gjendjes me ulur komunikimin e këto dy familjeve që ta rrisim një pikë qëllimi që t’i lemë familjet të jetojnë në paqe. Familja e tij ishte në një gjendje katastrofike, njerëz me probleme ekonomike, pa shtëpi, pa ekonomi. Sipas dijenisë së babait, thoshte nuk jam në dijeni për ngjarjen që më ka kryer fëmija. Ishte i përulur, ishte i mërzitur, edhe nuk e di çfarë të them, por një familje në gjendje shumë të lodhur ekonomike. Ne si misionarë deri në fund nuk do t’i ndajmë vizitat në këto familje derisa të gjejmë një rrugë komunikimi për të mirën e të dyja palëve. Është shqetësuese, por misionarët e pajtimit të Shqipërisë kanë bërë punë të mirë në disa drejtime për ndaljen e këtij fenomeni. Sa të jenë njerëzit këto fenomene ndodhin”, tha Shullani.

Arjon Hasaj dëshmoi se e vrau 33-vjeçarin se ai ka shkatërruar dy martesa të motrës së tij, madje ish-burrit i ka dërguar video intime. Ndërsa vëllai i tij, Klisman siguroi kushtet për të kryer vrasjen dhe fshehjen e armës së krimit. Pavarësisht akuzave, ai nuk e ka pranuar krimin duke thënë se nuk ka qenë në dijeni të veprimeve të vëllait. 33-vjeçari, Ramazan Mataj u ekzekutua mëngjesin e 5 janarit, vetëm 2 kilometra larg banesës së tij, ku edhe ishte duke shkuar me mjetin e tij, tip "Mercedez Benz". Viktima kishte jetuar për afro 1 vit e gjysmë në Belgjikë, bashkë me të vëllain, i cili ndodhet atje, dhe pas kthimit punonte në ndërtim në Malin e Zi./ZËRI

Poll

MOS HUMB