
TIRANË- Laert Haxhiu përmes avoktatit të tij, Detar Hysi, ka depozituar në Gjykatën e Lartë rekursin për vendimin e Apelit të Gjykatës së Posaçme që e dënoi atë më burgim të përjetshëm për masakrën e Lushnjës. Në dokumentin e depozituar thuhet se Gjykata ka tejkaluar kompetencat, vendimi nuk është në përputhje me ligjin dhe se me këtë vendimmarrje po tentohet të hapet një sagë vrasjesh në qytetin e Lushnjës, duke cenuar sigurinë kombëtare të jetës në vendin tonë.
Po ashtu, ai shton se një nga anëtarët e trupit gjykues të Apelit të GJKKO-së ka votuar për pafajësi për masakrën. Laert Haxhiu është transferuar në burgun e sigurisë se lartë të Drenovës.
“Masakra e Lushnjes” ka ndodhur në shtator të vitit 2017. Shënjestër ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, por të vdekur mbetën Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi. Laert Haxhiu akuzohet nga autoritetet shqiptare për 16 vepra të ndryshme penale, që përfshijnë vrasje, atentate, plagosje, grabitje e shumë të tjera, të kryera në formën e grupit kriminal. Dosja u zbërthye pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Marjus Tafani. Laert Haxhiu u arrestua në Selanik të Greqisë dhe më pas, pas një procesi të gjatë gjyqësor në vendin fqinjë u ekstradua në Shqipëri./ZËRI