Aktualitet

"Masakra e Lushnjes"/ Laert Haxhiu: Po dënohem pa të drejtë! Doloreza pse është këtu?! Ndërhyrja e Altin Dumanit (DEBATET)

Në sallë është vetë Laert Haxhiu, i cili ka pretenduar se po dënohej me pa të drejtë.

k.m.
"Masakra e Lushnjes"/ Laert Haxhiu: Po dënohem pa të
Laert Haxhiu

TIRANË- Mes debateve dhe tensioneve është zhvilluar seanca e sotme në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për masakrën e Lushnjes. Në sallë ishte vetë Laert Haxhiu, i cili ka pretenduar se po dënohej me pa të drejtë dhe kërkoi që Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të riniste edhe njëherë hetimet për ngjarjen e rëndë, për të cilën është dënuar me burg përjetë. 

"Po dënohem pa të drejte dhe pa fakte. Të riçelet hetimi, pasi SPAK nuk ka bërë veprime hetimore,"-tha Haxhiu në sallën e gjyqit.

Të njëjtën tezë ka mbrojtur edhe avokati i Haxhiut, Detar Hysi. Ky i fundit kërkoi që të riekspertohen pamjet e karburantit për të rishikuar edhe njëherë nëse klienti i tij ka qenë në vendin ku ka ndodhur masakra e Lushnjes. Por kërkesa e tij është kundërshtuar menjëherë nga hetuesit e SPAK, Altin Dumani dhe Doloreza Musabelliu, të cilët kërkuan nga Gjykata që të mos e pranojnë kërkesën e të riut nga Lushnja. Kjo pasi sipas tyre, pamjet filmike të karburantit nuk janë të vetmet prova që kanë nxjerrë hetuesit në përfundimin se Haxhiu ishte një nga autorët e masakrës së Lushnjes. Në këtë moment tentoi që të ndërhynte edhe babai i Haxhiut, por menjëherë iu tërhoq vëmendja nga gjyqtari Florian Kalaja. Edhe pse pati ndërhyrje, qëndrimi i SPAK ishte i njëjti.  

"Të rrëzohet kërkesa për rihetim të dosjes,"-ka kërkuar SPAK nga Gjykata, pretendim që u pranua nga togat e zeza. Ndër të tjera, i dënuar ka kërkuar nga Gjykata shpjegim se përse çështjen e tij do të ndiqte ende hetuesja, Doloreza Musabelliu, e cila u zbulua se ishte kërcënuar dhe përndjekur nga Haxhiu dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt. 

Pas parashtrimit të pretendimeve, avokati Detar Hysi kërkojë që të konsultohet me klientin e tij në ambientet e burgut "313" për të vazhduar mbrojtjen. Edhe kjo kërkesë është pranuar, kështu që seanca e radhës është lënë që të mbahet në datën 13 nëntor ora 10.00.

Pjesë nga debatet në sallë:

Detar Hysi: Prokuroria nuk ka kryer asnjë veprim hetimor. Kjo vlen edhe për prokuroren e posaçme, që ka kryer 0 veprim hetimor, në akuzën qe vlerësohet në këtë proces. Ka kryer vetëm 3 veprime procedurale jo të karakterit hetimor. E kërkova fjalën për të orientuar gjykatën, përpara se të veprojë mbi kërkesën tonë. Është rasti i parë në historikun e kësaj godine, që ngrihet akuzë pa bërë veprim hetimor. Kërkoj caktimin e një eksperti të fushës përkatëse. Të ekspertojë pamjet filmike të karburantit, të përcaktojë nëse është Laert Haxhiu në automjet ose jo. Të bëhet një akt ekspertimi nga një ekspert me qëllim zbardhjen e të vërtetës. Qëllimi i bërjes së aktit të ekspertimit është zbulimi i të vërtetës, nëse personat që shfaqen në pamjet filmike të karburantit janë Laert Haxhiu dhe Bilbili.

Laert Haxhiu: Po dënohem pa të drejtë dhe pa fakte. Jam dakord me kërkesën e avokatit.

Doloreza Musabelli: Mendojmë që është një kërkesë e pabazuar në ligj. Për përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor, kërkojmë qe gjykata të mos pranojë këtë kërkesë. Kjo kërkesë është bërë nga avokati edhe në shkallë të parë. Nuk ka vend për ri-ekspertim për pamjet filmike. Gjatë procesit gjyqësor janë pyetur dëshmitarë lidhur me pamjet filmike që janë pasqyruar në proces. Pamjet filmike kanë shumë elemente që nuk janë në foto. Kërkesa të rrezohet për përsëritje të shqyrtimit gjyqësor.

Altin Dumani: Këto pamje nuk janë një provë e vetme. Palët, prokuroria dhe avokati nën drejtimin e gjykatës kanë pasur mundësinë të dëgjojnë edhe dëshmitarët. Nuk është e vërtetë që gjatë shqyrtimit gjyqësor në Shkallë të Parë nuk janë pranuar provat e kërkuara nga mbrojtja.

Trupa gjykuese i tërheq vëmendjen babait të Laert Haxhiut: Mos bëni gjestikulacione.

Babai i Laertit: Unë jam ai që e vuaj këtë zoti gjyqtar.

Florjan Kalaja: Mos më detyroni ta ndërpres seancën për këtë qëllim.

Altin Dumani: Gjykata ka pranuar kërkesën e avokatit të të pandehurit për tu pyetur disa dëshmitarë, por edhe prova të tjera shkencore dhe shkresore. Edhe trashëgimtarët e viktimave kanë të drejtë të dorëzojnë prova. Prova është marrë të pika e karburantit. Më shqetësoi një fjali e përdorur nga ana e mbrojtjes kur thotë prova ekstra ligjore për devijimin e së vërtetës… ne nuk përdorim prova ekstra-ligjore. Le të na e thotë zotëria.

Laert Haxhiu: Pse nuk e bëjnë ekspertizën? Doloreza nuk duhet të jetë fare në gjyqin tim.

Babai i Laertit: Ku është e shkruar që duhet të marrin pjesë dy prokurorë në të njëjtën çështje? Për t’i bërë presion gjykatës?

“Masakra e Lushnjes” ka ndodhur në shtator të vitit 2017. Shënjestër ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, por të vdekur mbetën Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi. Laert Haxhiu akuzohet nga autoritetet shqiptare për 16 vepra të ndryshme penale, që përfshijnë vrasje, atentate, plagosje, grabitje e shumë të tjera, të kryera në formën e grupit kriminal. Dosja u zbërthye pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Marjus Tafani. Laert Haxhiu u arrestua në Selanik të Greqisë dhe më pas, pas një procesi të gjatë gjyqësor në vendin fqinjë u ekstradua në Shqipëri./ZËRI

Poll

MOS HUMB