
TIRANË- Stuhitë e Atlantikut që prej një jave kanë goditur Gadishullin Iberik pritet që të "mbërrijnë" edhe në Shqipëri. Alarmin e ka dhënë meterologia Tanja Porja në "A2CNN". Sipas saj, vendi ynë pritet që të përfshihet me reshje me intensitet të lartë dhe rrebeshe. Po ashtu, edhe vendet e rajonit do të rrezikojnë përmbytje.
“Nga data 12, 13, 14 nëntor reshjet do të fuqizohen drejt lindjes duke përfshirë Italinë e jugut dhe territorin shqiptar që nga data 11 nëntor e në vijim reshjet me intensitet të lartë do të përfshijnë një pjesë të Ballkanit, Shqipërinë, Malin e zi dhe Kosovën, Maqedoninë e veriut. Reshjet priten të jenë 50-70 mm në një interval kohor 3 orësh. E gjithë kjo rrit riskun për përmbytje. Reshjet do të jenë me intensitet mesatar dhe të lartë,”-tha në fjalëne saj Tanja Porja.
Sipas saj, stuhia pritet që të vijë në Shqipëri pas datës 10 nëntor, duke paralajmëruar edhe një rrezik për përmbytje.
Europa prej disa ditësh është përfshirë nga reshjet intensive që kanë goditur Gadishullin Iberik. Më e dëmtuara ka qenë Valencia ku janë shënuar më shumë se 200 viktima dhe dëme të pallogaritshme materiale. Por reshjet intensive kanë përfshirë edhe Majorkën, Ibizan dhe gjatë ditës së djeshme, edhe Barcelonën. Nga shirat dhe stuhia rrezikohet edhe Andaluzia./ZËRI