
TIRANË- Nëntë persona janë marrë të pandehur si pjesë e grupit të Laert Haxhiut dhe pritet të gjykohen nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Lulzim Spahija alias Lulzim Arapi, Artan Tafani alias Marjus Tafani; Ligor Romacka; Bledar Berberi; Erisiano Abedini; Bujar Abedini; Mariglen Topuzi; Idriz Manej dhe Enriko Xhahysa janë marrë të pandehur pasi Prokuroria e Posaçme ka arritur të dokumentojë veprimtarinë kriminale të grupit të Laert Haxhiut, nga muaji prill i vitit 2021 deri në maj të vitit 2023, moment në të cilën u vu në pranga edhe vetë Haxhiu, në Greqi.
Fundosja e grupit erdhi pasi Marjus Tafani u kthye në një të penduar të drejtësisë, pas grabitjes në Astir që e çoi pas hekurave. Tafani zbërtheu para prokurorëve 16 ngjarje kriminale mes të cilave 6 vrasje dhe 5 raste të shkatërrimit të pronës me eksploziv dhe përmes operacionit “Never forget”, u vunë në pranga të gjithë anëtarët e burgut. Haxhiu ka pasur një përplasje të vazhdueshme me bandën e Aldo Bares, konflikt nga i cili numërohen dhjetëra të vrarë. Vetëm 6 janë zbardhur nga i penduari Tafani!
Njësoj si Nuredin Dumani, Tafani hapi ‘kutinë e Pandorës’ duke zbërthyer atentatet e njëpasnjëshme.
Fridmand Xhaferraj u vra dhe u hodh në rezervuar në verën e vitit 2021. 25-vjeçari Fridman Xhaferraj, banues në fshatin Plug të Lushnjës, u gjet i vdekur në një rezervuar në Korçë, me plagë të mëdha në kokë. Për ngjarjen është arrestuar shtetasi Kristi Bixheku, ndërkohë që policia shpalli në kërkim Lulzim Spahijan. Bixheku nuk e pranoi asnjëherë krimin, ndërkohë që ngjarja dyshohej për prishjen e pazareve të drogës.
Çajup Selimi 52-vjeç u ekzekutua po në të njëjtën periudhë kohe me Xhaferrajn. Ai u qëllua dy herë, ku një plumb e kapi në zemër, në afërsi të banesës së tij. Ngjarja edhe pse kishin kaluar dy vite rezultonte e pazbardhur.
Alban Semaku alias Elton Mermali, u vra në Peqin! Alban Semaku njihej në qytetin e Lushnjes si "Kinezi i Aldo Bares". Pasi nuk ishte kthyer në banesë, nëna e tij e kishte kërkuar në Policinë e Shtetit, por në fakt i gjeti vetëm kufomën të birit. Ai u ekzekutua në Peqin, më 17 tetor të vitit 2021, duke rindezur edhe njëherë përplasjet në bandën e Lushnjes. Alban Semaku, gjithashtu i njohur me emrin tjetër Elton Mermali, vrau Bledar Haxhiun, të afërmit e Laertit.
Albi Bashaliu u vra në Elbasan! Vrasja ndodhi në fund të Dhjetorit të vitit 2021, ndërsa asokohe për ngjarjen u arrestua edhe djali i xhaxhait të viktimës, Veiz Bashaliu, i cili dyshohet se kishte ndihmuar autorët që të largoheshin pas vrasjes. 41-vjeçari u arrestua së bashku me fqinjin e tij Mikel Xhaja 30 vjeç. Akuza për të dy ishte ajo e përkrahjes së autorit të krimit.
Lulzim Qorri dhe Dikens Halili u ekzekutuan në Greqi. Qorri u vra në qendër të Athinës në Dhjetor të vitit 2018, ndërkohë që ngjarja u raportua nga mediat e vendit fqinj si një përplasje për çështje droge. Qorri, asokohe 44 vjeç, u qëllua me armë në kokë nga një person që u largua më pas me motoçikletë, së bashku me një person tjetër. Dikens Halili u vra po në Athinë, teksa ndodhej në lokalin që kishte vetë në pronësi dhe performohej edhe muzikë live nga këngëtarë shqiptarë. 39-vjeçari shqiptar u qëllua nga një burrë i maskuar dhe me kapele. Për të dyja vrasjet e ndodhura në Greqi nuk kishte pasur persona të vënë në pranga.
Dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani, tregoi qartë së Laert Haxhiu, edhe pse nuk i kishte përfunduar planet, kishte ndjekur e përndjekur dy prokurore e një avokat bashkë me familjet e tyre. Një prej tyre është edhe pjesë e Drejtësisë së Re, anëtare e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Doloreza Musabelliu. Musabelliu u mor në mbrojtje me kërkesën e Kryeprokurorit Altin Dumani, por pa e ditur, e kishte pasur Haxhiun edhe në dyert e shkollës së fëmijëve.
Doloreza Musabelliu shumë herë është etiketuar si ‘gruaja e hekurt’ e drejtësisë, pasi ka hetuar ‘masakrën e Lushnjes’, Emiljano Shullazin, dosjen Toyota Yaris dhe çështjen e avionit të rrëzuar në Ishëm që u raportua se ishte ngarkuar me hashash. Arsyeja se përse Haxhiu e kishte futur në rreth të kuq ishte dosja e ‘Masakrës së Lushnjes’. Ajo kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm për Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin.
Në ‘listën e zezë’ ishte futur një tjetër prokurore në qytetin e Lushnjës, e quajtur Merita Selimi. Selimi ishte prokurorja që hetoi Laert Haxhiun, Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin për masakrën e vitit 2017, ku mbeti i vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa u plagosën Bujar Turku dhe Marjus Xhepexhiu. Pas dy viteve hetime, Selimi shpalli moskopetencën duke sjellë dosjen ndaj tre të pandehurve në SPAK. Prokurorja Merita Selimi u shkarkua me shumicë votash në muajin Korrik 2023 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pas problemeve të konstatuara me burimet financiare të një apartamenti në Tiranë dhe me likujditetet. Ndoshta shkarkimi i saj, pezulloi planet e Haxhiut…
Avokati Adriatik Doga, sipas të penduarit të drejtësisë Artan (Marjus) Tafani, ka qenë gjithashtu një nga shënjestrat e Haxhiut. Në rrëfimin e bërë para prokurorëve, Tafani ka treguar se Doga i ka shpëtuar vdekjes në fraksion sekonde, në muajin Tetor 2021 në Lushnjë. Për vrasjen e avokatit sipas bashkëpunëtorit të prokurorisë ishte impenjuar personalisht Laert Haxhiu. Tafani, Haxhiu dhe Lulzim Arapi kanë shkuar dhe janë pozicionuar para banesës së Dogës. Por, në momentin që grupi kriminal do të vinte në punë armët, Doga, rastësisht ka takuar një fqinjin e tij. Kjo ka bërë që tre personat, Artan Tafani, Laert Haxhiu dhe Lulzim Arapi, të mos veprojnë. Vetë Doga ka mohuar të ketë pasur njohje apo konflikte me të. Ndërsa Tafanin thotë se e njeh, pasi e ka kushëri.
Tafani ka deklaruar gjithashtu se Haxhiu kontrollonte trafikun e kokainës nga Amerika Latine në Portin e Pireut në Greqi si dhe koordinonte shpërndarjen e saj në vendet e Bashkimit Evropian me disa grupe kriminale që operojnë në Jug të Shqipërisë. Por për këtë pjesë të dytë të dëshmisë së tij, nga ana e SPAK ende nuk ka asnjë aksion të finalizuar, e mesa duket dosja po vijon të hetohet./ZËRI