Aktualitet

Vrasja e Pjerin Xhuvanit/ Apeli: Grupi i viktimës qëlloi i pari! I pandehuri Kasma: Sulmuan Arbërin se ishte më i gjati

Gjykata nënvizon se njëri nga qitësit e paidentifikuar ka qenë në një distancë të afërt me viktimën, jo më shumë se 1 metër larg.

I.F
Vrasja e Pjerin Xhuvanit/ Apeli: Grupi i viktimës qëlloi i pari! I
Arber Paplekaj dhe Pjerin Xhuvani

TIRANË- Gjykata e Apelit të Tiranës ka zbardhur vendimin në të cilin ricilësohet (rishikohet/ndryshohet) akuza ndaj Arbër Paplekaj, i cili është shpallur fajtor dhe dënuar me 7 vite burg për vrasjen e mjekut Pjerin Xhuvani në vitin 2021. Sipas Gjykatës, në vendngjarje kanë qenë edhe dy qitës të tjerë, por që ende nuk janë identifikuar nga Prokuroria e Elbasanit.

Sipas “Top Channel”, në rikualifikimin e akuzës, Apeli nënvizon se njëri nga qitësit e paidentifikuar ka qenë në një distancë të afërt me viktimën, jo më shumë se 1 metër larg.

Në dosje thuhet se përgjigjet e ekspertëve janë në harmoni me pamjet filmike dhe dëshmitë e marra. Po ashtu, Gjykata thekson se, Paplekaj dhe Xhuvani kanë qenë 4 metra afër me njëri-tjetrin, ndërsa në afërsi të Paplekaj ishte Pavlo Vuksani, i cili mbeti i plagosur nga pas kokës gjatë shkëmbimit të zjarrit. Nga hetimet thuhet se fillimisht është qëlluar me armë zjarri nga grupi i personave që kanë sulmuar Paplekaj, në krye të të cilëve ishte viktima Xhuvani, ku pranë këtij të fundit ishte njëri prej dy qitësve. Po ashtu, në dosje thuhet se Paplekaj ka qenë i tronditur psikologjikisht që është shkaktuar si pasojë e fyerjes dhe dhunës, ku gjatë gjithë sherrit autori nuk e ka patur kontroll mbi veprimet e tij pasi vetëdija i është errësuar. Gjykata shton se ai ka qëlluar për shkak të pasigurisë për jetën. Sipas Apelit të Tiranës, nuk ka prova për të dënuar efektivët për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Ndryshe nga Prokuroria e Elbasanit, Gjykata nënvizon se nuk provohet nga hetimi që Paplekaj të jetë autor i plagosjes Eltjon Bodinaku dhe Emilian Prenga, ndërkohë që për plagosjen e efektives Xhensila Sota shkruan “plagosja e lehtë e punonjëses në këmbë është tregues se i pandehuri nuk ka patur qëllim apo dashje ta qëllojë, por se plagosja e saj ka ardhur nga pakujdesia”.

Ndërsa i pandehur Nuredin Kasma në dëshminë e tij ka thënë se në momentin e sherrit ata janë fyer dhe janë goditur nga grupi i viktimës. Kasma ka dëshmuar se ata u fokusuan tek Paplekaj, pasi ishte më i gjatë. I pandehuri ka deklaruar se dy persona ndodheshin përballë një makine tip “RangeRover” dhe në momentin e sulmit, ata kanë nxjerrë pistolën dhe kanë qëlluar.

“Në momentin kur jane share dhe goditur, ata shanin: do ju vrasim, fjalor fyes nga të gjithë mënyrat, na shanë. Në atë moment Arbëri ka qenë përpara dhe Emiljan Prenga. Kanë shtyrë, sharë Arbërin, ka vënë dorën një personi dhe e kapi për dore dhe i ka thënë: jo se nuk bën kështu. Debati ka qenë duke vazhduar. Ata janë fokusuar te Arbëri duke qenë më i gjatë. Në atë moment Arbëri spostohet, ata kanë patur çanta. Dy personat ishin përballë RangRover dhe njëri nga këta persona ka nxjerrë pistoletën, unë kam marrë majtas, kam dalë nga rrezja e qitjes. Kishte edhe persona të tjerë. Në atë moment qe nxorrën armën, kanë qenë duke u shtyrë dhe konfliktuar. Grupi i personave kanë ardhur direkt në mënyrë agresive me automjete, nuk ka patur debat sqarues. Kanë sulmuar, sharë dhe shtyrë me duar grupin e vullnetarëve të PD-së. Kanë përdorur fjalor fyes, kanë sharë nga familja, të gjithëve, …robt, familjen, lloj-lloj fjalësh. Edhe viktima Pjerin Xhuvani ka përdor fjalë fyese. Fillimisht fjalët fyese u janë drejtuar në grup, por i pandehuri Arbër Paplekaj ka qenë përballë qe ka kontaktuar me ata. Nga çasti kur erdhën personat deri në momentin që u dëgjuan krismat e fundit kanë kaluar rreth 20 sekonda”, ka deklaruar Kasma.

Si ndodhi vrasja e Pjerin Xhuvanit?

Më 21 prill 2021, 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, në Elbasan u vra Pjerin Xhuvani, përkrahës i Partisë Socialiste. Paplekaj ishte pjesë e një "SMV", strukture për Mbrojtjen e Votës e ngritur në Elbasan nga PD. Pas një sherri verbal pasi SMV dyshonte se Xhuvani ishte pjesë e një grupi që blinin vota, ndodhi vrasja ku mbeti i pajetë Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë. Të plagosurit ishin Paulo Vuksani, Emiljano Prenga, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota. Nga dita e arrestimit deri më sot në pranga është ish-oficeri i RENEA-s, Arbër Paplekaj i cili akuzohet se qëlloi për vdekje Xhuvanin dhe dhëndrin e tij, Eltjon Bodinakun. Paplekaj, një ish-efektiv i RENEA u vetëdorëzua dhe pranoi krimin duke thënë se e kishte bërë goditjen pasi ishte qëlluar më parë me armë zjarri. /ZËRI

Poll

MOS HUMB