
ITALI- 16 mijë kilogramë mbetje të konsideruara të rrezikshme ishin nisur për në Shqipëri! Mbetjet, të gjitha të sekuestruara nga Guardia di Finanzia u kapën në Ankona. Sipas të dhënave që kanë bërë me dije mediat italiane, mbetjet ishin kryesisht me origjinë tekstili dhe në pronësi të një kompanie eksportuese që vepronte në Italinë qendrore dhe veriore.
16 tonët u kapën në portin e Ankonës, brenda një kamioni që do të kishte për destinacion portin e Durrësit. Por ngarkesa iu nënshtrua një kontrolli nga Agjencia Rajonale për Mbrojtjen e Mjedisit të Marche (Arpam). Punonjësi i portit, i cili kishte ndalur kamionin për verifikimin e zakonshëm të dokumenteve, nuk ishte i bindur nga letrat që kishte në dorë. Sipas tij, dokumentacioni kishte mungesa. Dhe ashtu rezultoi! Ajo që ishte deklaruar në transport nuk përputhej me atë që u gjet më vonë brenda kamionit.
Duke u bazuar në dyshimet e punonjësit, kamioni u kontrollua dhe brenda u gjetën produktet, pëlhurat, rroba, të cilat konsiderohen si mbetje që paraqesin rrezik mjedisor. Por po ashtu, kërkojnë kujdes të madh sepse mund të jenë të rrezikshme, ndaj lëvizja e tyre duhet të ketë një njoftim paraprak dhe pëlqimin me shkrim të autoriteteve kompetente të vendit pritës. Në këtë rast, Shqipëria.
Edhe pse, mediat italiane nuk kanë zbuluar asnjë detaj se kush i sillte këto mbetje, Prokuroria e Ankonës ka nisur një hetim për trafik të paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme dhe falsifikim të dokumentave të kryer nga një individ privat në një akt publik./ZËRI