
TIRANË- Kanë dalë rezultatet e akt ekspertimit të thikës së përdorur në vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani. Në thikë, nga gjurmët e gjakut u zbuluan dy profile ADN. Një prej profileve të ADN përputhet me viktimën Martin Cani ndërsa profili i dytë përputhet me profilin e personit të plagosur, Luis Meçja.
Rezultati i akt eksperimentit nuk ka dhënë asnjë gjurmë në lidhje me autorin e dyshuar të krimit, Mario Përlleshaj. Avokati mbrojtës i Mario Përlleshajt pretendon se i mituri ka qëlluar me thikë në kushtet e vetëmbrojtjes. Në seancën e fundit Përrlleshaj i është drejtuar me ankim gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm përmes avokatit të tij, ku kërkon zbutjen e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 nëntorit pasi dyshohet se u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Sherri mes të miturve kishte nisur që të premten. Të hënën ishin riparë dhe ishin zënë gjatë orarit të pushimit të gjatë në oborrin e shkollës. Pas përfundimit të mësimit, të dy kishin mbledhur shokët për t'u përballur, por situata ka agravuar në përdorimin e thikës. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës.
Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. Ndërsa shoku i tij, Luis Meçe, mori 4 goditje me thikë, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën dhe ka lënë spitalin. Autori gjithashtu mbeti i plagosur në dorë, por kjo nuk e pengoi që pak çaste pas krimit të rëndë autori të pozonte për "Snapchat". Sipas Policisë, fotoja i është bërë nga një shok i papërfshirë në përplasje teksa ishin duke shkuar me taksi për në spital. Tashmë, ai është shoqëruar në institucionin për të miturit në Kavajë, në pritje të verdiktit për dënimin e tij./ZËRI