
TIRANË-Gjashtë persona janë arrestuar në lidhje me trafikun e armëve nga Kosova drejt Shqipërisë, në një operacion të përbashkët mes dy shteteve. Në Tiranë në pranga janë vendosur, Euxhenio Manushi 20 vjeç, Endri Papa 34 vjeç, Aurel Manreka 28 vjeç, Gersi Llozha 22 vjeç, Kleos Mucalliu 26 vjeç dhe Tonin Shkami 53 vjeç. Ndërkohë në Kosovë është arrestuar edhe 'koka' e grupit. Valter Osmani, shqiptari i Kosovës dyshohet se ishte në kry të grupit që trafikonte armë të kalibrave të ndryshëm nga Kosova në Shqipëri dhe jo vetëm. Provat kundër tij u gjetën në një banesë në zonën e “Kombinatit” në Tiranë, pasi aty qëndronte sa herë vinte për tregtinë e armëve.







SKEMA:
Nga hetimi është zbuluar se armët vinin nga Turqia si armë sportive dhe më pas në Ferizaj modifikoheshin dhe bëheshin armë zjarri. Trafikantët përdornin ditën e shtune dhe të dielë për kalimin në kufi, pasi sipas një marrëveshje, makinat nuk kontrollohen dhe kjo ishte në favor të trafikantëve. Shpeshherë armët e zjarrit në Kosovë shkëmbeheshin jo me para, por edhe me kokainë.
Shkëmbimi i armëve me kokainë bëhej nga 25 deri në 30 gram për pistoleta dhe sasi më të madhe për armët më të sofistikuara. Këto të fundit ishin kryesisht sportive dhe dyshohet se modifikoheshin në Kosovë, por autoritet atje akoma nuk kanë gjetur vendin apo bazën ku kryhej procesi.
Në këtë aksion, zbulohet se një nga anëtarët e bandës së trafikut të armëve është Euxhenio Manushi, djali i muzikantit të njohur Ad Sybardhit. Ky i fundit vetëm pak ditë më parë u kap në Tiranë me 1.5 kg kokainë dhe aktualisht ndodhet në ambientet e paraburgimit. Manushi interesohej për armë dhe në shkëmbim jepte kokainë.Hetimet kanë provuar se në disa episode ai së bashku me persona të tjerë kanë shkuar drejt Kosovës me lëndë narkotike me vete dhe në kthim ata kanë sjellë armë zjarri.
NJOFTIMI I PROKURORISË:
Shkatërrohet grupi kriminal i trafikut të armëve Kosovë-Shqipëri, Prokuroria e Tiranës dhe Prokuroria Speciale e Kosovës lëshojnë 14 urdhër arreste, sekuestrohen armë e municione. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe me ndihmën e EUROPOL shkatërruan pas mbi nëntë muaj hetime, një grup kriminal të trafikut të armëve, aktiv në të dy shtetet.
Hetimet datojnë në muajin shkurt të këtij viti, ku pas informacioneve të grumbulluara ne rrugë operative nga ana e Seksionit Për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policise Tiranë për dyshimin se shtetesi V.O. në bashkëpunim me persona të tjera, shtetas Shqiptarë dhe Kosovarë, kryejnë aktivitetin e paligjshëm të trafikimit të amrëve të zjarrit nga Kosova në drejtim të Shqipërisë si dhe trafikimin e lëndëve narkotike kryesisht kokainë nga Shqipëria në Kosovë, u regjistrua procedimi penal nr.1167 për veprën penale ‘Trafikimi i armëve dhe i municionit’ kryer në bashkëpunim dhe ‘Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit’ parashikuar nga nenet 278 dhe 278/a/2 të Kodit Penal. Nga hetimet e deritanishme, rezulton se të dyshuarit ishin përgjegjës për furnizimin, transportin dhe shitjen e armëve ose materialeve shpërthyese, duke krijuar një rrugë të ndërlikuar importi dhe eksporti.
Duke qenë se ky grup përbëhej nga shtetas nga Kosova dhe Shqipëria, institucionet e dy shteteve nënshkruan në qershor të këtij viti ‘Marrëveshjen për Themelimin e Ekipit të Përbashkët Hetimor’, mbështetur nga EUROPOL dhe nga Projekti i EUROJUST për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe midis rajonit dhe BE-së në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Nëpërmjet këtij ekipi, autoritetet shqiptare dhe kosovare mundën të bashkëpunonin shpejt dhe lehtë, duke shkëmbyer informacione në kohë reale. Në vijim të hetimeve, më datë 10.12.2024 rreth orës 21:00 dhe në vijim Policia e Kosovës në funksion të procedimit të përbashkët ka zhvilluar operacione policore ku ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar: 29 pistoleta dhe 3 armë të gjata të modeleve të ndryshme, 2635 fishekë/municion të modelit të ndryshëm, 2 automjete dhe pajisje tjera TIK. Ndërkohë që gjatë këtyre operacioneve u ndaluan/arrestuan 8 persona. Konkretisht shtetasit V.O., K.K., S.H., Sh.J., A.H., Z.A., A.D., dhe B.A. Gjatë këtij operacioni u sekuestruan 22 armë zjarri ‘Zoraki’, një armë zjarri Ak 47, një granatë dore ofensive dhe 470 fisheke të llojeve të ndryshme.
Në pranga janë vendosur 24 persona, 14 prej tyre në Kosovë dhe pjesa tjetër në Shqipëri./ZËRI