
VLORË-Katër persona janë arrestuar në Vlorë pasi akuzohen se shfrytëzonin shtetas ukrainas që përdoreshin për shpërndarjen e drogës. Policia e Vlorës ka raportuar se grupi kriminal përbëhej nga 3 ukrainas, 1 bjellorus dhe 1 polake, përkatësisht: Mark Petrenko, 27 vjeç, nga Harkov, Ukrainë, Nazar Khamuilo, 23 vjeç, nga Kiev, Ukrainë, Oleksandr Tavorskyi, 24 vjeç, nga Minsk, Bjellorusi dhe Marianna Syzareva, 22 vjeçe, nga Kiev, Ukrainë.
Personat e trafikuar, përmes kërcënimeve dhe dhunës fizike e psikologjike, detyroheshin të angazhoheshin në rekrutimin e individëve të tjerë përmes rrjeteve sociale. Viktimat më pas përdoreshin për veprimtari kriminale, si shpërndarja dhe trafikimi i lëndëve narkotike në vendet europiane. Autoritetet shoqëruan 19 shtetas ukrainas, të moshës 18-26 vjeç, të cilët ishin viktima të kësaj veprimtarie kriminale.
Fjala e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Drejtues Elidon Çela:
Së pari bashkë me Prokurorin e çështjes, Erion Murataj, do bëjmë prezent rezultatin e arritur pas finalizimit me sukses të operacionit policor të koduar “TRANSNACIONAL” Ky operacion përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në angazhimin tonë për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore dhe për të goditur rrjetet kriminale që operojnë brenda dhe jashtë vendit.
Operacioni u realizua nga strukturat e Hetimit të Krimit në DVP Vlorë, të mbështetura nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe strukturat e tjera të Departamentit të Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, si rezultat i një pune hetimore dhe policore të mirëorganizuar.
Gjatë këtij operacioni u goditën dy raste të trafikimit të personave të rritur nga shteti i Ukrainës. Pjesëtarët e këtij rrjeti trafikimi rekrutonin në vende të ndryshme të Europës, kryesisht shtetas nga Ukraina, duke i sjellë në Shqipëri, ku më pas u mbanin dokumentet e udhëtimit dhe i shfrytëzonin për të kryer veprimtari të kundërligjshme.
Personat e trafikuar detyroheshin përmes kërcënimeve dhe përdorimit të dhunës fizike dhe psikologjike, për t’u angazhuar në marketingun e rekrutimit të individëve të tjerë në vendet e Europës, duke përdorur platforma të ndryshme të rrjeteve sociale, me qëllimin për t’i shfrytëzuar më pas për veprimtari kriminale, si shpërndarja dhe trafikimi i lëndëve narkotike, që kryheshin gjithashtu në vendet europiane.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur”, kryer në bashkëpunim dhe “Kanosja”, 4 shtetas të huaj konkretisht:
• M. P., 27 vjeç, lindur dhe banues në Harkov, Ukrainë;
* N. K., 23 vjeç, lindur dhe banues në Kiev, Ukrainë;
* O. T., 24 vjeç, lindur dhe banues në Minsk, Bjellorusi;
* M. S., 22 vjeçe, lindur dhe banuese në Kiev, Ukrainë.
Si dhe u shpall në kërkim shtetasi K. M., 35 vjeç, banues në Poloni.
Gjithashtu, janë shoqëruar dhe 19 shtetas ukrainas, të moshës nga 18 deri në 26 vjeç, të cilët kanë qenë viktima të kësaj veprimtarie kriminale dhe janë kryer veprime procedurale me qëllim dokumentimin ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.
Gjatë operacionit u sekuestruan 18 laptopë, 23 pasaporta udhëtimi, 4 karta ID dhe 23 aparate celularë, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme laboratorike në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë.
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti./ZËRI