
TIRANË- Vrasja e Klaudio Prendit mbetet ende pa autor, por tashmë Policia e Shtetit ka një pistë! Sipas të dhënave që janë grumbulluar deri më tani, dyshohet se 30-vjeçari i vrarë ka pasur probleme me paratë me fajde që merrte dhe me lojrat e fatit. I riu ka pasur në pronësinë e tij një faqe në rrjet ku vendoseshin baste.
Po ashtu, të dhëna të reja janë mësuar edhe për autorët. Dyshohet se janë 3, personat që morën pjesë në vrasje, njëri shofer dhe dy qitës. Gjithashtu është zbuluar se makina e autorëve, e cila u gjet e djegur në Farkë pak çaste pas atentatit, ishte vjedhur në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë thuajse një vit më parë. Identifikimi u bë nga numri i shasisë së makinës që u rikuperua nga ekspertët, edhe pse makina ishte thuajse e shkrumbuar tërësisht.
Klaudio Prendi, djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi, u vra me breshëri plumbash vetëm pak pas mesnatës së të martës, fill sapo doli nga një lokal që ndodhej me miqtë e tij në zonën e Xhamllikut. Autorët, të cilët dyshohet se ishin 3, shoferi, qitësi dhe një person që i ka ndihmuar për t'u larguar nga vendi i ngjarjes e kanë ndjekur prej kohësh djalin e ish-gjyqtarit deri në momentin që ai ka dalë vetëm nga lokali.
Sapo po hipte në mjetin e tij, ata kanë qëlluar. I riu mori plagë në kokë dhe në gjoks, të cilat rezultuan fatale për të, edhe pse miqtë e tij e dërguan menjëherë në spital. Tashmë, nga zona kanë marrë kamerat e sigurisë dhe po punohet për të zbuluar se cilët janë personat që planifikuan dhe kryen atentatin. Pista e borxhit që ka zbuluar i ati i viktimës është vetëm një prej atyre që po hetohen./ZËRI