
TIRANË- Ora 11.00 do të mbledhë prindër, fëmijë dhe qytetarë të vendit para shkollës 'Fan Noli', atje ku vetëm pak ditë më parë iu mor jeta 14-vjeçarit Martin Cani. I mituri u qëllua me thikë nga bashkëmoshatari i tij gjatë një debati që ishte parë dhe dëshmuar nga të gjithë, por askush nuk denjoi që të ndërhynte, për t'i shpëtuar ndoshta jetën adoleshentit. Për këtë ngjarje që prej ditësh ka tronditur vendin, qytetarët do të nisin marshimin nga shkolla deri tek Ministria e Arsimit për të kërkuar më shumë siguri në shkolla për fëmijët dhe adoleshentët.

Ngjarja e rëndë që tronditi vendin ndodhi të hënën. Të rinjtë, Martin Cani dhe Mario Prelleshi ishin konfliktuar gjatë pushimit të gjatë, por ishin ndarë nga roja i shkollës dhe mësuesit. Disa orë më pas, rreth orës 13.00, kur edhe kishin përfunduar mësimin, u ritakuan në oborr ku edhe u përleshën me thika. Autori vrau 14-vjeçarin dhe plagosi shokun e ngushtë të viktimës, Luis Meçen. Gjatë marrjes në pyetje për shkakun e sherrit, autori është shprehur se përplasja kishte nisur për një "pse më shikon?", por në asnjë moment nuk ka shprehur pendesë./ZËRI