TIRANË- Një ditë pas gjetjes së trupit të pajetë të 34-vjeçarit Eglant Koçi, janë kryer ekzaminimet e para mjeko-ligjore. Sipas burimeve, nga ekzaminimet paraprake është evidentuar një plagë në pjesën e pasme të kokës, e cila dyshohet se është shkaktuar nga armë zjarri.
Megjithatë, trupi i të riut është dërguar në morg, ku pritet t’i nënshtrohet ekspertizës së plotë mjeko-ligjore për përcaktimin e shkaqeve të sakta të vdekjes.
Trupi u gjet në gjendje dekompozimi në fshatin Cerrujë, midis Tiranës dhe Elbasanit. Burime bëjnë me dije se dentifikimi u bë nga familjarët e viktimës, pas lokalizimit të zonës nga policia me ndihmën e dronëve.
Eglant Koçi rezultonte i zhdukur prej rreth dy javësh, ndërsa zhdukja e tij ishte denoncuar nga familjarët pranë autoriteteve. Në kuadër të hetimeve, është shpallur në kërkim shtetasi Armand Shakaj, i cili dyshohet të jetë shoku i ngushtë i viktimës dhe autori i ngjarjes. Në zyrën e Armando Shakajt, policia pati gjetur gjurmë baruti dhe një shenjë në mur, e cila dyshohej të jetë e shkaktuar nga një predh plumbi.
Detaje të ngjarjes:
34-vjeçari Eglant Koçi u zhduk që prej mbrëmjes së 4 qershorit, teksa dyshohet se u mor peng dhe më pas u vra nga Armand Shakaj, 41 vjeç. Ky i fundit është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, ndërsa në burg ndodhet Enea Zyferi, i cili punonte kamarier në lokalin në pronësi të 41-vjeçarit. Zyferi dyshohet se ka qenë dëshmitar i ngjarjes.
ZËRI publikoi disa ditë më parë edhe foton e ‘Porsche’ që dyshohet të jetë makina Armand Shakaj (Mand Dhelpra), të cilën e ka përdorur për të transportuar dhe më pas për të zhdukur trupin e 34-vjeçarit Eglant Koçi. Shakaj dyshohet se ka përdorur një karrotrec për të transportuar automjetin e tij, brenda të cilit mendohet se ndodhej edhe trupi i 34-vjeçarit, drejt zonës së Ibës.
Po ashtu, ZËRI publikoi më 6 qershor pamjet ku Eglant Koçi u pa për herë të fundit në zonën e “Sheshit ëilson”, teksa parkonte motorin pranë ambienteve të lokalit të Shakajt. Hetimet treguan se për të humbur gjurmët, autori ka zhvendosur motorin e viktimës nga vendi ku ishte parkuar fillimisht. Motori u gjet në rrugën “5 Maji” në Tiranë.
Policia vijon kërkimet intensive për kapjen e autorit të dyshuar, Armand Shakaj. Sipas sistemit TIMS rezulton se Armand Shakaj nuk ka dalë jashtë vendit dhe policia dyshon se ai fshihet brenda vendit./ZËRI