Aktualitet

Shfrytëzuan detyrën dhe i morën pasurinë një biznesmeni, jepen masat për 3 ish-funksionarë në Elbasan

Sipas njoftimit të Prokurorisë Elbasana, ndaj tyre janë caktuar masat “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”.

zh.ll
Shfrytëzuan detyrën dhe i morën pasurinë një
prokuroria elbasan

ELBASAN- Janë caktuar masat e sigurisë për 3 ish-fuksionarë të cilët dyshohet se kanë përdorur detyrën për të përfituar pasurinë e një qytetari. Bëhet fjalë për Glodian Ahmetaj, Devis Ago dhe Klevis Hoxha, të cilët kanë mbajtur funksionet e Drejtorit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Oficerit të Policisë Gjyqësore dhe Drejtorit të Policisë Bashkiake. 

Sipas njoftimit të Prokurorisë Elbasan, ndaj tyre janë caktuar masat “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”.

Sipas hetimeve, të tre ish-zyrtarët dyshohet se kanë shfrytëzuar funksionet e tyre zyrtare për të ushtruar presion ndaj shtetasit A.B., administrator i një subjekti tregtar, me qëllim përfitimin e padrejtë të pasurisë së tij dhe shmangien e kontrolleve ndaj aktivitetit të biznesit.

Njoftimi:

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, u caktuan dhe u ekzekutuan masat e sigurimit ‘Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore’ dhe ‘Ndalimi i daljes jashtë shtetit’ ndaj tre ish -funksionarëve të shtetit, G.A, K.H. dhe D.A, Drejtor i AMP-së, Oficer i Policisë Gjyqësore dhe Drejtor i Policisë Bashkiake, të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie” e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 109/b/1 e 25 të K.Penal.

Hetimet mbi procedimin penal nr.238, datë 02.03.2026, nisën mbi bazën e materialit të ardhur për kompetencë nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Nga hetimi i deritanishëm ka dyshim të arsyeshëm se ish–funksionarët G.A, K.H dhe D.A, gjatë ushtrimit të detyrës, duke shfrytëzuar funksionet e tyre si Drejtor i AMP-së, Oficer i Policisë Gjyqësore dhe Drejtor i Policisë Bashkiake, në bashkëpunim, kanë shtrënguar me anë të dhunës shtetasin A.B subjekt tregtar, duke shtënë në dorë në mënyrë të padrejtë pasurinë e tij me qëllim moskryerjen e kontrolleve ndaj subjektit që ky shtetas administron, duke cenuar marrëdhëniet juridike që mbrojnë lirinë e personit dhe pasurinë private.

Hetimet e kësaj çështje po vijojnë me prioritet, në bashkëpunim me shërbimet e policisë gjyqësore të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, me qëllim dokumentimin e mëtejshëm të veprimtarisë kriminale.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, shpreh angazhimin për hetimin me përparësi të grupveprave që lidhen me veprat penale kundër lirisë së personit si dhe pasurimin e paligjshëm e që cenojnë të drejtat pasurore të shtetasve.

Mesditën e së enjtes, Prokuroria e Elbasanit në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore ndërmori një operacion në Devoll, ku janë kryer kontrolle në banesën e Devi Agos, ish-punonjës i AMP-së. Devi Ago ka dhënë dorëheqjen nga detyra pak kohë më parë, ndërsa hetimet dyshohet se lidhen me elementë penalë për shpërdorim detyre./ZËRI

Poll

MOS HUMB