TIRANË – Me një kapital fillestar prej vetëm 1 mijë eurosh, Isa Aliu dyshohet se ngriti një rrjet kompanish në sektorin e ndërtimit, hotelerisë dhe energjisë, përmes të cilave u pastruan miliona euro të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i drogës.
Aliu, së bashku me nëntë persona të tjerë, është shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të operacionit të fundit të SPAK, ndërsa Prokuroria e Posaçme ka vendosur sekuestro mbi një numër të konsiderueshëm pasurish dhe biznesesh, vlera e të cilave llogaritet në mbi 150 milionë euro.
Sipas hetimeve, Isa Aliu konsiderohet një nga personat kyç në skemën e dyshuar të pastrimit të parave, ku fitimet e gjeneruara nga trafiku i kokainës transferoheshin fillimisht në Shqipëri në formë cash dhe më pas investoheshin në pasuri të paluajtshme, aksione kompanish dhe projekte ndërtimi.
SPAK sqaroi se se fondet e siguruara nga aktiviteti kriminal janë kanalizuar përmes shoqërive tregtare që operonin kryesisht në fushën e ndërtimit, hotelerisë, konsulencës dhe energjisë.
Një rol kyç në këtë skemë dyshohet të ketë pasur kompania “A.. R.. H…” sh.p.k., në llogaritë e së cilës, sipas SPAK, janë injektuar shuma të konsiderueshme parash cash me qëllim krijimin e një historie financiare të ligjshme.
Hetuesit dyshojnë se, për të shmangur vëmendjen e institucioneve ligjzbatuese, Aliu zgjodhi që kompania të paraqitej fillimisht si nënkontraktore në projekte banimi. Kjo strategji, sipas SPAK, do të shërbente për të justifikuar flukset e vazhdueshme të parave dhe zgjerimin e aktivitetit në sektorin e ndërtimit. Aktiviteti i kompanisë në këtë sektor nisi gjatë periudhës maj-qershor 2021, menjëherë pas injektimit të fondeve në llogaritë e saj.

Sipas hetimeve paraprake, pastrimi i parave është realizuar përmes blerjes fiktive të kuotave të kapitalit në shoqëri tregtare, me vlera shumë herë më të ulëta se çmimi real i tregut. Në këtë mënyrë, grupi dyshohet se arrinte të merrte kontrollin e kompanive me kosto minimale, ndërsa fondet qarkullonin përmes huave mes individëve dhe subjekteve të lidhura. SPAK dyshon se këto transaksione kishin si qëllim krijimin e një historie ekonomike artificiale dhe humbjen e gjurmëve të origjinës së parave, përpara integrimit të tyre në ekonominë formale.
Nga verifikimet e kryera nga ZËRI, rezulton se Isa Aliu, pavarësisht kapitalit fillestar modest, arriti të investojë në projekte të rëndësishme në bregdet. Një prej tyre është resorti luksoz “Aliu Road House”, i ndodhur në Gjirin e Lalzit, një nga zonat me zhvillimin më të shpejtë turistik në vend.
Pas këtij investimi, Aliu dyshohet se zgjeroi aktivitetin edhe në sektorin e ndërtimit përmes kompanisë “Sea View Development”, e cila tashmë është pjesë e listës së subjekteve të sekuestruara nga SPAK.
Në mesin e kompanive të vendosura nën sekuestro janë edhe shoqëri të tjera, mes tyre “G.E.A Green Energy” dhe “Sea View Development”, të cilat dyshohet se janë përdorur për të ricikluar të ardhurat e krijuara nga aktiviteti kriminal.
Operacioni i SPAK ka çuar në sekuestrimin e një numri të konsiderueshëm pasurish, përfshirë vila luksoze, apartamente, truall, aksione kompanish dhe investime në zonat më të lakmuara të vendit. Hetimet po fokusohen në identifikimin e flukseve financiare, lidhjet mes kompanive dhe origjinën e kapitalit të investuar.
Prokuroria e Posaçme dyshon se rrjeti i ngritur nga Isa Aliu dhe bashkëpunëtorët e tij ka shfrytëzuar sektorin e ndërtimit dhe turizmit për të integruar në ekonominë shqiptare miliona euro të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës. /ZËRI