
ITALI- Burg përjetë, ky është dënimi i dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda të Trevisos ndaj Bujar Fandajt, shqiptarit nga Kosova që vrau ish-partneres së tij, 26-vjeçarja Vanessa Ballan, e cila në atë kohë ishte shtatzënë. Mediat italiane kanë publikuar sot pamjet nga salla e gjyqit, pasi trupa gjykuese shqiptoi dënimin përjetë për 40-vjeçarin shqipar. Në sallë ishin edhe prindërit e viktimës, të cilët u përlotën nga vendimi i marrë. E ëma e viktimës nuk e përmbajti dot veten në sallën e gjyqit dhe nisi që të qante, duke prekur të gjithë të pranishmit. Ishte bashkëshorti i saj dhe avokati i tyre, ata që u kujdesën që ta qetësonin.
Ndërsa Bujar Fandaj, edhe pse ishte në sallë nuk bëri asnjë reagim. Avokatët e tij mbrojtës, Chiara Mazzocato dhe Daria Bissoli, u shprehën të pakënaqur për atë që vendosi trupa gjykuese.
"Nuk e prisnim këtë lloj dënimi, duke u nisur nga supozimi se vetë prokurori publik nuk e kishte kërkuar, kështu që gjykata shkoi përtej kërkesave të prokurorit publik. Tani, natyrisht, nuk mund ta kuptojmë arsyen e këtij vendimi dhe e vetmja gjë e mundshme është të presim, të jemi në gjendje ta lexojmë dhe në atë pikë do të kuptojmë dhe vlerësojmë para së gjithash nëse është rasti të paraqesim një ankesë dhe të vlerësojmë se cilat aspekte nuk u morën në konsideratë,"- shpjeguan Chiara Mazzocato dhe Daria Bissoli.
Por Bujar Fandaj nuk u ka thënë asgjë avokatëve të tij.
"Ai nuk ka thënë asgjë. Ai ka heshtur, po i mendon gjërat mirë, padyshim duke e kuptuar rëndësinë dhe seriozitetin e vendimit, por ai gjithashtu po pret të kuptojë arsyetimin. Do të kemi një mundësi të flasim me të afërmit e tij, të cilët padyshim prisnin një dënim të rëndë. Ne kurrë nuk e kemi fshehur seriozitetin e situatës,"-shtuan ata.
Vrasja ndodhi në via Fornasette, në Spineda, një fshat i Riese Pio X. E reja u godit me thikë shtatë herë në hyrje të banesës së saj, nga Bujar Fandaj, teksa raportohet se ajo e kishte denoncuar më parë autorin për përndjekje. Ballan i kishte dhënë fund marrëdhënies së saj me Bujar Fandaj në verë të atij viti, ndarje e cila nuk është pranuar nga autori. Alarmi u ngrit nga një fqinj, i cili njoftoi menjëherë policinë. Vanessa ishte në pritje të fëmijës së saj të dytë./ZËRI